Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar ditën e sotme me burgim të përjetshëm Xhuljano Hoxhën. Nga ana tjetër ka dhënë dënimin me 17 vite burg për Euglent Halilin.
Këta dy persona janë dënuar për vrasjen e Regis Runajt e Emiljano Ramazanit në Elbasan, ngjarje e ndodhur më 20 dhe 29 korrik të vitit 2020.
Mbi Hoxhën dhe Halilin rëndojnë akuzat për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe të vrasjes së Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan.
Për rastin e vrasjes së Runaj, Hoxha dhe Euglen Halili, dyshohet se masakruan me thikë 23-vjeçarin, në afërsi të varrezave të qytetit, duke e qëlluar 27 herë.
Sa i përket vrasjes së Emiljano Ramazanit, financues ishte Erion Alibej, organizator Nuredin Dumani, ekzekutor Skerdi Tasi dhe ndihmës për ekzekutimin kanë qenë Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.













