ITALI- Një mosmarrëveshje mes familjeve me origjinë shqiptare u kthye në tragjedi mbrëmjen e së mërkurës më 7 gusht në Tavullia të Italisë. Gjatë një debati të dhunshëm, Dritan Idrizi, 38 vjeç, u godit me thikë për vdekje. Pavarësisht përpjekjes për ta shpëtuar në spitalin Cattolica, shqiptari vdiq për shkak të tre goditjeve në gjoks.
Mediat italiane raportojnë se tre persona me origjinë shqiptare, janë arrestuar si të dyshuar për krimin. Mësohet se të arrestuarit janë Artur Cerria, autori i vrasjes së 38-vjeçarit, Gili Quedari, 28 vjeç, mik i viktimës, si dhe Admir Shoshari, 54 vjeç, daja i viktimës, banues në San Giovanni në Marignano.
Sherri mes shqiptarëve shpërtheu përgjatë rrugës që lidh Tavullia me San Giovanni në Marignano, ku Idrizi, i shoqëruar nga shokë të armatosur me shkopinj dhe hekura, kishte shkuar për të zgjidhur një mosmarrëveshje financiare prej 5,000 eurosh lidhur me punë ndërtimi.
Situata degjeneroi shpejt pasi grushtet dhe goditjet me çekiç i paraprinë përdorimit të thikës, të mbajtur nga një familjar me banim në Tavullia. Përveç viktimës, gjatë përleshjes kanë mbetur të plagosur edhe tre persona të tjerë. Për momentin nuk ka asnjë të arrestuar, por karabinierët e Pesaros po hetojnë me akuzat për vrasje, tentativë vrasje dhe plagosje të rëndë.