Në seancën e sotme plenare në Kuvend ashtu siç ishte përcaktuar në rendin e ditës, po diskutohet raporti vjetor i KQZ për vitin 2023. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Damian Gjiknuri iu kundërpërgjigj opozitës, ndërsa theksoi se mënyra për të ardhur në pushtet, janë vetëm zgjedhjet.
Ai më tej tha se dështimi i reformës zgjedhore qe i parashkruar. Sipas tij ata ofruan përfshirjen në votim dhe numërimin elektronik në pjesën më të madhe të vendit.
“Opozita nuk kishte një drejtim te saktë, se kush do të merrte përsipër që të udhëheqtë tryezën për reformën zgjedhore. Më vonë u përçanë se ishte problemi i vulës. Dështimi i reformës zgjedhore qe i parashkruar.
Me vullnetin e mirë si maxhorancë krijuam një mekanizëm dialogu. Duhej të adresohej vota e diasporës. Ne ofruam që të përfshijmë votimin dhe numërimin elektronik në pjesën më të madhe të vendit.”, tha ai.
Nga foltorja e Kuvendit Gjiknuri gjithashtu bëri thirrje për ta kaluar pr/ligjin për votën e diasporës brenda korrikut.
“Projektligji do depozitohet pas disa ditësh në Kuvend. Zarfi me fletën e votimit do dërgohet me postë, Do të votohet deri ditën e zgjedhjeve,” tha ai.
