“Vlora në flakë”: Zjarret nga mbetjet, hetimet dhe dështimi i premtimeve publike

Buzë një fushe mbetjesh në lagjen “24 Maji” të Vlorës, 38-vjeçari Zamir Qama përpiqet të mbrojë disa rrënjë ulliri që ka në oborrin e shtëpisë. Me një karrocë dore, ai u hedh pleh dhe ujë, ndërkohë që përballë tij zjarret në vendgrumbullimin e hapur të mbetjeve ndizen pa pushim.

“E bëj sepse dua të ndaloj këtë batërdi,” thotë ai, duke treguar me dorë drejt malit të mbeturinave. Edhe pse në prill 2025 kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, njoftoi se vendgrumbullimi i Sherishtës kishte nisur nga puna, situata në terren dëshmon të kundërtën.

Kamionët vijojnë të shkarkojnë mbetje urbane në vend-depozitimin e vjetër, jo vetëm nga Vlora por edhe nga Orikumi. Ndërkohë zjarri i nisur javën e parë të qershorit trazoi jo pak pushues që kishin bërë planet për plazh.

Për Zamirin, i kthyer nga Irlanda për të jetuar me të ëmën, kjo është një betejë personale. Shtëpia e tij ndodhet pak metra larg fushës së ndotur, ku në mungesë të një rrethimi funksional, bagëtitë kullosin mbi mbeturina dhe zjarret përhapen shpesh.

“Është bërë e padurueshme, plehrat sa vijnë e zgjerohen, dhe sa herë zgjohem me plehrat në flakë e di që dëmtohem sepse jam i qartë që janë kancerogjene”, shprehet 38-vjeçari për Citizens.


“Një emergjencë mjedisore”

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vënë në dukje se vendgrumbullimi i mbeturinave në Vlorë nuk ka struktura të tjera teknike, të cilat mund të minimizojnë efektet negative, përveç zonës së rrethuar të ndarjes.

“Për shkak se pjesa tjetër e vendgrumbullimit nuk është e rrethuar, njerëzit dhe kafshët mund të hyjnë lirisht”, thuhet në një audtim të KLSH-së.

Por ky është vetëm një nga problemet që renditen për vendgrumbullimin e hapur. Audituesit kujdesen të dëshmojnë në dokumente zjarret, mungesën e kontrolleve, apo dhe mostrajtimin e ujërave që ndotin tokën dhe detin.

Eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo, veç këtyre shqetësimeve shton njësoj si të rrezikshme ndotjen e ajrit.

“Mbetjet shpesh digjen në mënyrë të qëllimshme për të nxjerrë skrapin, ose ndodh dhe paqëllim se mund të vetëndizen kur prodhohet gaz metan”, sqaron Qirjo, i cili shpjegon se zona të tilla rreth mbetjeve nuk duhen siguruar vetëm me rrethime, por duhen trajtuar me ndarje dhe menaxhim.

Megjithatë, bashkë me njoftimin se kishte nisur depozitimi i mbetjeve në landfillin e Sherishtës, edhe pse me dy vjet vonesë, kryebashkiaku Dredha nuk dha datë fikse se kur do të mbyllet vendgrumbullimi i Vlorës, i cili vazhdon të jetë problem.

“Po bëjmë një operacion pilot atje [kapsulim mbetjesh], me qëllim që të bëjmë sa të mundemi. Kjo më shumë për të shmangur zjarret gjatë sezonit turistik”, deklaroi zyrtari i bashkisë, por kapsulimi nuk ka nisur ende, çka do të thotë se edhe rreziku nga flakët dhe ndotja mbetet i njëjtë.

“Zjarret, premtime dhe hetime”

Zjarri më i fundit masiv shpërtheu më 7 qershor 2025, duke mbuluar sërish qytetin bregdetar me re të zeza tymi. Ndryshe nga herët e tjera, policia referoi në prokurori pesë zyrtarë lokalë të Ndërmarrjes së Pastrimit, mes tyre manovratorë të bordit të kullimit, me dyshimet se neglizhuan detyrën për shuarjen e flakëve duke sjellë ndotjen e mjedisit.

Zyrtarisht u njoftua se zjarri kishte rënë si pasojë e temperaturave të larta, por prokuroria e Vlorës pranon për Citizens.al se mbi zjarret në vendgrumbullimin e Vlorës ka nën hetim tre dosje: Korrik 2023, Maj 2025, Qershor 2025.

Ajo thotë se këto zjarre kanë shkaktuar pasoja për jetën e shëndetin e njerëzve, një krim i dënueshëm deri në 10 vjet, ndërsa paralelisht po hetohen edhe dyshimet për shpërdorim detyre nga ana e punonjësve apo dhe zyrtarëve publik.

Emrat e të dyshuarve u mbajtën sekret dhe nuk iu vunë në dispozicion redaksisë së Citizens.al.

Eksperti Mihallaq Qirjo këmbëngul se edhe pushteti lokal ka përgjegjësi, pasi institucionet kanë reaguar ngadalë për administrimin e mbetjeve. Ai thekson se menaxhimi i mbetjeve mbetet përgjegjësi e bashkisë, të cilat në kushtet kur nuk kanë kapacitete, hapësira, mjaftohen vetëm me transportin e tyre.

Përballë raportimeve nga banorët në sallën operative, policia lokale, nga ana tjetër, tha për Citizens se ka referuar disa raste në prokuroi në periudhën 2023-2025, të lidhur “me zjarret e konstatuara në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane”.

Edhe bashkia thotë se ka bashkëpunuar për hetimin e zjarreve me policinë dhe prokurorinë, ndërsa shprehet zyrtarisht për Citizens se “gjetja e fajtorëve dhe dërgimi i tyre para drejtësisë nuk është bërë e mundur.”

Ndërkohë që drejtësia ende nuk ka dalë me një bilanc për përgjegjësit e ndotjes dhe dëmtimit të shëndetit të qytetarëve në Vlorë, dokumentet zyrtare tregojnë se prej vitit 2020 ka pasur korrespondencë për funksionalizimin e vendgrumbullimit të Sherishtës.

Por paralelisht me këto përpjekje dhe projekte, fusha ekzistuese e mbetjeve në qytet, ajo e lagjes “24 Maji”, është përballur çdo vit me zjarre, të cilat kanë djegur në mënyrën më të rrezikshme tonelata të tëra mbetjesh, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin publik.

KLSH ka ngritur alarmin për këtë situatë në një auditim të kryer Bashkisë Vlorë, e cila jo vetëm që nuk i depozitoi mbetjet në vendgrumbullimin e ri, por nuk pagoi as tarifa për depozitimin e tyre.

Raporti i KLSH-së vëren se bashkia e Vlorës rriti të ardhurat nga 2.79 miliardë lekë (2020) në 3 miliardë (2022). Paralelisht rriti edhe shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve nga 268.6 milionë lekë (2020) në rreth 340.3 milionë (2022).

Në këtë dinamikë, depozitimi i mbetjeve në lagjen “24 Maji” ka vijuar pa asnjë kriter, duke shkaktuar dëme në mjedis dhe duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Audituesit raportojnë gjithashtu edhe zhvlerësim të pronave që ndodhen pranë fushës së hapur të mbetjeve.

“Ti mund ta shikosh shtëpinë është thuajse e boshatisur, ne do ta rregullojmë, por këtu çdo gjë ndotet nga tymi dhe era e keqe, nuk di nga t’ia nis,” tregon Zamiri.


Premtimet për “Vlorën pa mbetje” dhe realiteti

Në vitin 2023, u prezantua nisma “Vlora zero mbetje”, pjesë e një plani 5-vjeçar për menaxhimin e mbetjeve në mënyrë të integruar. Gjatë konsultimeve lokale, u bë publik fakti se Ministria e Financave kishte nënshkruar një marrëveshje për financimin e projektit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës.

Projekti përfshin një kredi prej 12 milionë eurosh dhe tre grante me vlerë totale 14.3 milionë euro. Investimi kryesor është ndërtimi i Qendrës së Menaxhimit të Mbetjeve në Sherishtë.

Kjo qendër do të përpunojë rreth 1.2 milionë tonë mbetje dhe do të përfshinte: ndërtimin e vendgrumbullimit sanitar, sistemin për mbledhjen e gazrave, impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura, impiantin për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme (me kapacitet 55 mijë tonë/vit), si dhe një hapësirë për kompostimin e mbetjeve organike (deri në 4,200 tonë/vit).

Gjithashtu, ishte parashikuar mbyllja e venddepozitimeve ekzistuese në Vlorë dhe Selenicë, si dhe blerja e mjeteve për pastrimin e rrugëve dhe transportin e mbetjeve.

Megjithatë, punimet në vendgrumbullimin e Sherishtës, të cilat nisën në qershor 2020 dhe duhej të përfundonin në fund të vitit 2021, u ndalën për shkak të hetimeve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ndaj kompanisë “Integrated Technology Services” (ITS), që po e ndërtonte.

Në mars 2022, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive të kompanisë, dhe administrimi i punimeve iu kalua Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Por ky institucion nuk arriti të vijonte punimet dhe projekti ngeci.

Për shkak të detyrimeve të papaguara të kompanisë ITS ndaj palëve të treta dhe bllokimit të llogarive bankare, në tetor 2023 bashkia e Vlorës ndërpreu kontratën me ITS-në.

Ndërkohë, inspektorët e mjedisit, në një kontroll të datës 11 tetor 2024, konstatuan se në Sherishtë ishin ndërtuar vetëm godinat për përzgjedhjen dhe magazinimin e mbetjeve të riciklueshme, por mbetjet ende nuk depozitoheshin.

Fusha e vjetër e mbetjeve, në lagjen “24 Maji” në qytetin e Vlorës, që nuk ka leje mjedisore, mbetet aktive.

Llogaritet se aty janë depozituar rreth 400,000 m3 mbetje. Në një përgjigje për Citizens.al inspektorët e mjedisit thonë se nuk mund të kontrollojnë fusha pa leje pasi nuk e kanë si kompetencë ligjore. Ndërkohë, bashkia Vlore deklaron se vetëm për vitin 2024 janë prodhuar 53,406 tonë mbetje.

Në fund të vitit 2024, një dokument zyrtar tregon se inspektorët kishin vizituar sërish vendgrumbullimin e Sherishtës dhe kishin konstatuar se objekti nuk ishte ende funksional. Punimet ndodheshin në fazën e fundit, por pranimi i mbetjeve nuk kishte filluar.

Në një përgjigje për Citizens, bashkia Vlorë konfirmoi se përveç mbetjeve të qytetit, në fushën ekzistuese të “24 Majit” grumbullohen edhe ato të Orikumit dhe disa njësive administrative përreth.

Për vendgrumbullimin ekzistues nuk ka raport monitorimi, megjithëse zjarret ndodhin shpesh. Bashkia thotë se ndërhyrjet e saj në raste zjarresh janë të kufizuara dhe përfshijnë vetëm metoda mekanike si spostim, nivelim dhe mbulim me dhe apo materiale inerte.

E pyetur nga Citizens në prill 2025, se kur do të mbyllet vendgrumbullimi i hapur, Bashkia u përgjigj: “Aktualisht nuk ka ndryshime, derisa të nisë puna në landfillin e Sherishtës”.

Por në një dalje publike më 14 qershor, kryebashkiaku Dredha pranoi se edhe pas hapjes së Sherishtës, Vlora do të përballet me problemin e mbetjeve të paktën deri në vitin 2027.

Ai shtoi se aktualisht po ndërmerren ndërhyrje të përkohshme me mjetet që ka në dispozicion bashkia. “Në atë fushë ndodhen mbetje të kompostuara për më shumë se 40 vite. Vetëm me magji mund të pretendosh që nuk do ketë zjarre atje,” tha ai./ Citizens.al