Vjollca Tafa berberja e parë në Shqipëri që prej vitit 1974

Vjollca është një ndër berberet e para në Shqipëri e cila e nisi këtë profesion në vitin 1974 në qytetin e Cerrikut kur ishte vetëm 19-vjeç.

Ajo tregon për Elbasanion ndjesitë që përjetoi kur veshi për herë të parë përparsen e bardhë të berberit dhe se si u kthye në një kohë të shkurtër berberja e preferuar e këtij qyteti.

“Të bëhesha berbere e kisha pasion. Fillova punë direkt pasi përfundova kursin të cilin e ndoqa me dy shokët e mi. Punës ia mora dorën shumë shpejt ndaj më vinin shumë njërëz në dyqan, ndoshta edhe për faktin se isha e vetmja berbere femër”- shprehet ajo.

Vjollca i është falenderuese familjes që nuk e gjykoi zanatin e saj në ato kohë. Ndërsa ky është zanati i saj i jetës, ajo thotë se do ta bënte edhe sot nëse do të ishte e mundur.

“Mbështetjen më të madhe kam pasur bashkëshortin dhe familjen e tij që jo vetëm nuk më gjykuan, por edhe me mbështetën. Nëse do të isha e shëndetshme do ta bëja dhe sot se është zanat i bukur”- thotë ajo.

Vjollca përcjell një mesazh të rëndësishëm për gjithë vajzat e reja dhe thotë se s’duhet ta harxhojnë kohën në kafene, por të përvetësojnë një profesion apo një zanat që të jenë të pavarura.