Eriselda Karriqi është një nuse si shumë të tjera, por për vjehrrin e saj, Xhevahir Dashi, ajo është shumë më tepër: një shtyllë e familjes. Për këtë arsye, ai ka vendosur ta befasojë me një dhuratë të rrallë – një makinë të re – si shenjë falënderimi për kujdesin dhe përkushtimin e saj të përditshëm.
Ky gjest i rrallë, që zakonisht vjen nga bashkëshortët e jo nga vjehrrit, është shoqëruar me një letër të ndjerë, të cilën Xhevahiri ia ka dorëzuar bashkë me makinën e lidhur me fjongo. Letra është bërë virale në rrjete sociale pasi Eriselda e ndau me miqtë e saj në Facebook, duke shprehur surprizën dhe emocionin që ndjeu.
“Nuk e prisja, sinqerisht…”, ka shkruar ajo.
Në letrën prekëse, Xhevahir Dashi e falënderon nusen për dashurinë, kujdesin dhe shpirtin fisnik që ajo ka treguar për familjen. Ai e quan Eriseldën “jo thjesht nuse, por një nga shtyllat më të forta të shtëpisë”.
Letra e plotë e vjehrrit:
E dashura Eriselda,
Me shumë kënaqësi dhe zemër të hapur, unë, vjehrri yt, Xhevahir Dashi, kam nderin të të bëj këtë dhuratë – një makinë – si shenjë mirënjohjeje dhe respekti të thellë për ty.
Ti nuk je vetëm nusja e kësaj shtëpie, por je bërë një nga shtyllat kryesore të saj. Me përkushtim, kujdes dhe dashuri të paçmuar, ke dhënë gjithmonë shembullin e artë të familjes sonë. Kujdesi yt i vazhdueshëm për familjen dhe për djemtë tuaj, bashkëshortin tënd Gentin, si dhe dashuria e pafund për gjithë familjen tonë, tregojnë shpirtin tënd të madh dhe fisnik.
Duke të të bërë këtë dhuratë, dua të të ndihmoj me zemër dhe të të kujtoj që gjithmonë të vendosësh familjen në epiqendër të jetës tënde. Prandaj, kjo dhuratë nuk është vetëm një makinë, por edhe një simbol i respektit, mirënjohjes dhe dashurisë sonë për ty.
Uroj që kjo makinë të të shërbejë në të gjitha rrugët e jetës – qoftë të begata, qoftë të vështira – duke të kujtuar gjithmonë se je e dashur, e çmuar dhe një shtyllë e rëndësishme e kësaj familjeje, e bashkuar gjithmonë me dashuri dhe respekt për të gjithë.
Me dashuri dhe urime të përzemërta,
Xhevahir Dashi
Ky moment i sinqertë ka frymëzuar shumë komentues në rrjet, të cilët kanë vlerësuar marrëdhënien e veçantë mes nuses dhe vjehrrit. Në një kohë kur konfliktet në familje janë shpesh tituj lajmesh, kjo histori është një kujtesë e fuqishme se mirënjohja dhe dashuria mund të krijojnë ura që zgjasin një jetë.
