25 vite pas luftës, akoma nuk është vendosur drejtësia për shumicën e masakrave në Kosovë. Familjarët vazhdojnë të presin drejtësi, e cila mungoi gjithë këtë kohë. Një pjesë të fajit, vlerësohet ta ketë pasur edhe politika.
Bahrije Gërxhaliu brenda dy orëve, humbi burrin, kunatin e djalin e axhës, më dy maj të vitit 1999.
Që të tre, bashkë me familjarë të tjerë të afërt të Bahrijes, u vranë nga forcat serbe në fshatin Studime të Vushtrrisë.
“Kjo masakër ndoshta mund ta konsideroj është edhe masakra më e rëndë në gjithë Kosovën, për shkak se ka ndodhur për një kohë të shkurtë. Për dy orë janë vra 116 persona, në mesin e territ, pa dritë, tmerr. Të gjithë meshkujt i kanë vra, ne me fëmijë kemi qëndruar atë natë, tërë natën mbi këto viktima”, ka thënë Gërxhaliu.
Bahrijes, që pas vdekjes së burrit mbeti e vetme me pesë fëmijë të vegjël, plagën ia ka rënduar mungesa e drejtësisë në këtë rast.
“Aq ndoshta sa jemi të lënduar për të afërmit që i kemi humbë, ndoshta edhe më shumë jemi të lënduar që nuk ka drejtësi deri më sot për këto masakra që janë bërë, e posaçërisht për masakrën e Studimes. Drejtësia është e vonë, por shpresojmë që do Zoti që një ditë del në pah drejtësia. Më mirë vonë se hiç”, ka shtuar ajo.
Ajo asnjëherë nuk ka besuar që edhe një çerek shekulli pas ngjarjes, akoma do të jetë duke kërkuar drejtësi.
Sikur Studimja, pa drejtësi janë edhe shumica e masakrave dhe krimeve të tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se mosndëshkimit të këtyre krimeve iu kontribuoi edhe politika.
“Pas përfundimit të luftës në Kosovë, me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës, personat apo forcat serbe, policia, ushtria janë tërhequr nga territori i Kosovës dhe ky mosbashkëpunim pas luftës u ka siguruar atyre një komoditet që të jetojnë lirshëm në Serbi”, ka thënë Alija.













