Vëllai i viktimës hap dyert e mortit, tre fëmijët planifikuan vrasjen pas konflikteve në familje

Viktima është vrarë më 10 shkurt 2024 rreth orës 15:00, ndërsa 3 ditë më pas vetë ekzekutori, Hysen Meta ka bërë denoncimin për zhdukjen e tij.
Pasi e kanë ekzekutuar Hyseni dhe Hygerta janë përpjekur të fshehin gjurmët. Për këtë kanë kërkuar ndihmën e vëllait të vogël, Amarildo i cili ka ndihmuar dhe të hapë gropën ku kanë varrosur të atin, sipas policisë e cila zbuloi vrasjen, 13 ditë më pas, pikërisht më 23 shkurt duke arrestuar dhe 3 fëmijët.
Fillimisht krimi u mor përsipër nga vajza 19 vjeçare duke thënë se babai kërkonte ta fejonte pa dëshirën e saj me një emigrant në Itali, por dje pasdite pas disa orëve marrjes në pyetje Hysen Meta ka pranuar se ishte ai ekzekutori dhe secili prej fëmijëve ka shpjeguar rolin e tij dhe cfarë ka ndodhur.
Si 19-vjeçarja, edhe vëllezërit kanë dëshmuar se shkak kanë qenë konfliktet e vazhdueshme në shtëpi që arritën kulmin me fejesën pa dëshirë të motrës së tyre. Policia konfirmoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, por një plan të menduar nga dy fëmijët, Hygerta dhe Hyseni së bashku’
“Shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kanë deklaruar se motivi I vrasjes ka qenë konfliktet e vazhdueshme familjare që kanë pasur dhe nxitja e babait për një periudhë kohe që vajza të fejohej me një person pa dëshirën e saj” tha dje drejtori I policisë së Durrësit Skënder Hitaj.
Ndërkohë sot familja e vëllait të Pëllumb Metës ka hapur dyert e mortit për ti dhënë lamtumirën nga banesa e tij 49 vjeçarit që u vra nga fëmijët. Dy vëllezërit kishin banesat afër në Shënvlash.