
Refik Mata, 29 vjeç, një shqiptar i dënuar disa herë për vjedhje është gjetur i vdekur në qelinë ku po vuante dënimin në një burg të Nice në Francë. Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e 17 dhjetorit. Ishin të dënuar të tjerë ata që mbrëmjen e 17-dhjetorit vunë re se shqiptari nuk po ndihej.
Kur u afruan pranë qelisë së tij, kërkuan ndihmë pasi Mata nuk po lëvizte. Mjekët konstatuan se shqiptari kishte ndërruar jetë. Paraprakisht raportohet se po hetohet për vetëvrasje, por avokati i shqiptarit ka hedhur dyshime. Mediat franceze shkruajnë se avokati Julie Boano është shprehur se një ditë para se të gjendej i vdekur, shqiptari kishte pasur një përplasje me gjykatësin.
Madje ai ka shtuar se në një seancë e kishte gjetur klientin e tij me fytyrë të enjtur. Gardianët e burgut, shton ai, kanë rrëfyer se Mata ka pasur dhe përplasje me të burgosurit e tjerë dhe prej gjashtë muajsh nuk ndihej mirë.
