FIER- Në takimin e sotëm me prindërit në Fier, kryeministri Edi Rama ka rikthyer vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani, i cili u godit për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari i tij.
Rama tha se ajo është një tragjedi, që sipas tij, ende po përdoret për qëllime politike ose biznes mediatik që të krijojë audiencë. Ai u shpreh se shkollat në vendin tonë nuk janë të pasigurta siç po dezinformohet, ndërsa tha se Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë. Sipas kryeministrit, ajo çfarë ndodh mes grupesh kriminale s’ka lidhje me qytetarin.
“Është një tragjedi, është marrë dhe vijon akoma përdoret si material, të gjejmë material për të bërë sa më shumë konfuzion në trurin e njerëzve me qëllimin për interes politik luftë për pushtet ose biznes mediatik, të krijoj audiencë sa më shumë, të mbledh sa më shumë njerëz duke treguar të rrëfej në mënyrë katastrofike që filmi të mbajë njerëzit pas ekranit, dalin bëjnë histori, gjatë këtyre ditëve është stimuluar ndjenjë e madhe pasigurie a thua se këtu në shkolla fëmijët shkojnë e s’dihet a s’kthehen, që nuk është rasti në aspektin e sigurisë, nëse dëgjoni të gjithë të huajt, apo shqiptarët Shqipëria është një nga vendet më të sigurta, çfarë ndodh mes grupesh kriminale s’ka lidhje me qytetarin, një nga vendet më të sigurta, një nga arsyet kryesore pse turistët pëlqejnë Shqipërinë. Në Londër nuk ecet dot në rrugë nëse ke një orë me një vlerë të caktuar, nëse ke një çantë të shtrenjtë në krah.” u shpreh Rama.