Dikur konsiderohej një rrugë dytësore. Madje edhe e papërshtatshme për vajzat.
Por sot, gjithnjë e më shumë të reja po zgjedhin arsimin profesional si një mundësi reale për të ndërtuar një të ardhme me zanat, pavarësi ekonomike dhe zhvillim personal.
Në shkollat profesionale, vajzat nuk janë më përjashtim, por një pjesë e rëndësishme e ndryshimit.
“Vazhdoj studimet në arsimin profesional, pasi në këtë mënyrë unë mund ta realizoj ëndrrën time për t’u bërë një veterinare e suksesshme dhe gjithashtu të kem një punësim të garantuar”- shprehet Amelia, nxënëse e veterinarisë e shkollës “Mihal Shahini” në Cërrik.
Arkida Isufi, gjithashtu nxënëse e kësaj shkolle, thotë se ka bërë zgjedhjen e duhur, edhe pse është përballur me paragjykime si nga rrethi familjar, ashtu edhe ai shoqëror.
“Ishin më shumë djemtë që shkonin dhe ndiheshin vajzat të paragjykuara.
A ke ndier paragjykime?
Po.
Ka pasur edhe disa nga familja që më kanë thënë që shiko se i ka rënë vlera për shembull si shkollë.
Por thjesht nuk i dëgjova dhe ndoshta atë gjë që ndjeva.”
Një rëndësi të veçantë për arsimin profesional zë edhe shkolla profesionale në Elbasan, e cila ofron një sërë mundësish për të gjithë të rinjtë.
Qarku i Elbasanit ka potencial të madh për punësimin e të rinjve pasi dy shkollat profesionale, ajo në Elbasan dhe ajo në Cërrik ofrojnë praktika të strukturuara që i lidhin nxënësit drejtpërdrejt me tregun e punës.
Densanta dhe Kejsi, dy vajza që ndjekin degën e IT, shprehen se kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se arsimi profesional u ka dhënë një drejtim të sigurt për të ardhmen.
“Kur kam ardhur për herë të parë, kam pasur me shumë, si me thënë me frikë, sepse thashë se isha e vetmja në klasë, gocë ose nga këto teori që shpikeshin gjithmonë edhe pastaj, kur erdha, pashë që ishin regjistruar më shumë se dyqind vajza dhe ishte komplet ndryshe nga ajo që e kisha menduar.”
“Arsimi profesional ndër vite është konsideruar si një mundësi e fundit për çdo nxënës që mbaron nëntë vjeçaren.
Dhe mua, si shumë të tjerë, dhe më mësueset, me atë mentalitetin e vjetër, që e shikonin se profesionalja është më shumë për djem, më shumë më kanë shtyrë që të mos e zgjidhja, por duke parë mundësitë, duke parë në rrjetet sociale të shkollës, duke pasur mundësinë që edhe grupet e promovimit kanë ardhur dhe kanë folur shumë tek ne, unë mendova që gjeja më tepër veten arsimin profesional
sepse tek e fundit ky arsim mua më mundëson një të ardhme të sigurt.
Kur moshatarët e mi nuk e kanë idenë se çfarë duan të bëjnë me jetën e tyre, unë tashmë po e hedh themelet dhe po hedh hapat e para drejt një të ardhme shumë të mirë për veten time.”
Për drejtuesit e këtyre shkollave, vit pas viti interesi i vajzave për arsimin profesional është në rritje.
“Një nga arritjet e vitit shkollor që lamë pas, ishte dhe rritja e numrit të vajzave me rreth 38%.
Një nga strategjitë e cila i ka sjellë risi arsimi profesional është edhe sistemi dual.
Praktikat në biznes janë po aq të rëndësishme sa edhe praktikat në shkollë, sepse jo vetëm i aftësojnë nxënësit me aftësi praktike, por i afrojnë ato edhe me tregun e punës”- u shpreh drejtoresha e shkollës “Mihal Shahini”, Erina Disho.
“Atëherë vit pas viti kemi një numër të konsiderueshëm të vajzave në arsimin profesional.
Kjo falë dhe Qeverisë, që i ka rimbursuar dhe me bursa për rrugën dhe për regjistrimin në arsimin profesional, të një vajze që përfiton bursë, vetëm të jesh vajzë përfiton bursë,
por dhe duke parë kohën që shkolla për arsimin profesional të lidhte direkt me tregun e punës gjatë gjithë katërvjeçarit që e përfundon ciklin e arsimit”- tha Leonidha Haxhinikolla, drejtor i shkollës profesionale në Elbasan.
Kjo prirje pozitive vjen në një kohë kur të dhënat për tregun e punës janë shqetësuese, veçanërisht për të rinjtë.
Sipas INSTAT, në vitin 2021, 26.1% e të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç nuk ishin të punësuar, nuk ndiqnin shkollën dhe as ndonjë formim profesional.
Nga ky grup, 37.3% janë të papunë, ndërsa pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye të ndryshme: të dekurajuar (15.4%), me detyrime familjare (17.5%), ose për arsye të tjera (29.8%).
Në këtë sfond, qarku i Elbasanit, i cili ka përqindjen më të lartë të të rinjve në vend (47%), përbën një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e politikave për punësimin rinor.
Sipas të dhënave të Bashkisë Elbasan për vitin 2018, 43,289 të rinj jetojnë në këtë qark, që përbën 20% të popullsisë. Në zonat rurale, përqindja e të rinjve shkon në 33%.
Arsimi profesional po tërheq më shumë vajza duke i dhënë mundësinë jo vetëm të hyjnë më shpejt në tregun e punës, por edhe të thyejnë njëherë e mirë paragjykimet.
Ai po shndërrohet nga një “zgjidhje e fundit” në një mundësi të parë për një të ardhme me dinjitet dhe pavarësi.
