Bardha Nergjoni
Punëtorët e Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve u përballën me ulje të pagës me kalimin në administrimin e bashkisë Elbasan. Ndërkohë që ende nuk janë paguar për muajin mars kur ende inceneratori ishte në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Sokol Shaqiri është një prej punëtorëve që iu bashkua protestës thotë se kanë pritur disa muaj për një reagim të administratorëve dhe të bashkisë por deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim . “Ne vendosëm që të ndalim punën për disa orë pasi jemi në mes të qershorit dhe ende nuk kemi marrë pagën e muajit mars, kur ende bashkia nuk e kishte marrë inceneratorin në administrim. Kërkojmë të paguhemi për një periudhë që na është premtuar likujdimi por ende nuk ka ndodhur. Nuk kemi përgjigje se kur do të ndodhë kjo prandaj vendosëm të dalim në protestë”. Ai thotë së të gjithë punëtorët punojnë nga e keqja në seleksionimin e mbetjeve dhe e kanë të domozdoshme rrogën për familjen e tyre prandaj kanë qenë të detyruar të firmosin kontrata, për të cilat nuk kanë qenë darkod.
Një tjetër punëtor thotë se rroga për të është shumë e rëndësishme pasi me të ushqen 8 fëmijë. “Ta dijë dhe Kryeministri që ne me këtë rrogë mbahemi. Unë jam vetë i dhjete në shtëpi dhe fëmijët më presin rrogën. Na thanë do shesim skrapin, kanocet etj. e do ju japim rrogat dhe nuk kemi marrë gjë. Na thanë të shkojmë në bankë se kanë kaluar, sërish asgjë. Na kanë gënjyer disa herë por u bënë muaj dhe vendosëm t’ju drejtohemi mediave”thotë ai pa dashur të identifikohet nga frika e largimit nga puna.
Arsye tjetër që punëtorët e inceneratorit kanë ndalur punën të hënën është ulja e rrogë pas kalimit në administrim të bashkisë Elbasan. Nëse në kohën kur impianti i përpunimit të mbetjeve ishte nën administrimin e kompanisë Albtec energy dhe me pas një tjetër kompani punëtorët e riciklimit merrnin një minimum prej 32.000 lekësh neto ndërkohë që me kalimin në administrim të bashkisë rroga neto që marrin është 29 300 lekë.
“Puna jonë është e vështirë. Merremi me riciklimin e mbetjeve. Ju e dini sa janë rritur çmimet. Paga jonë duhet të rritej dhe jo të ulej. Presim që bashkia të reflektojë dhe të vendosë paga të tilla që justifikojnë llojin e punës dhe situatën e çmimeve që janë të papërballueshe për ca kërkesa minimale” tha Ardjani që I është bashkuar protestës.
I kontaktuar nëpërmjet telefonit kreu i bashkisë Gledian Llatja tha se të gjitha detajet janë diskutuar me punëtorët teksa ata kanë firmosur kontratën individuale të punës dhe kanë qenë në dijeni dhe të nivelit të pagës. Pagat janë ato që janë vendosur dhe dakortesuar në kontratat e punës individuale. Të gjitha termat e kontratës janë diskutuar dhe pranuar nga punonjësit” tha Llatja në një përgjigje me shkrim.
I kontaktuar për rastin e uljes së pagave, Gentjan Sejrani përfaqësues ligjor dhe aktivist i shoqërisë civile tha se nuk mund të pranohet ulja e pagave në këtë kohë kur çmimet vetëm rriten. “Kur i ul pagat një institucion publik çfarë mund të presim nga institucionet private. Dhe nuk mund të pranohet fakti që paga është dakordësuar me puntorët pasi të gjithë e dimë që ata kanë qenë të detyruar të pranojnë kushtet e reja për shkak të nevojës për punë. Nëse ata do të kishin një mundësi tjetër punësimi sigurisht që nuk do të pranonin kontratën e bashkisë. Duhet të marrim parasysh edhe njohjen e legjislacionit në lidhje me punësimin apo Kodin e Punës pasi edime që më së shumti ata janë individë që I përkasin minoriteteve egjiptjan dhe rom. Ndërkohë dihet vështirësia që ka kjo punë dhe pasojat që shkakton në shëndet duke pasur nevojë edhe për ushqim të veçantë me kosto më të lartë për ta”përfundon Sejrani.
Mundësitë e punësimit për minoritetet dhe shtresat në vështirësi sociale janë të pakta. Ndërkohë që numri i të regjistruave si të papunë në zyrat e punësimit në të gjithë vendin i kalon 7 mijë në përbërje të komuniteteve në minorancë, ata që rezultojnë të punësuar në të dyja llojet e sektoreve janë rreth 500 persona nga komunitetet rome dhe egjiptiane. Pjesa më e madhe e familjeve janë në në skemën e ndihmës ekonomike ose punojnë në të zezë.
