UEFA masa të ashpra ndëshkimore! Kosova humbet 3-0 ndeshjen e braktisur në Bukuresht. Rumania gjobitet 128 mijë euro

ZVICER – UEFA marrë sot vendimin për ndeshjen e ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës në Bukuresht. Shtëpia e futbollit evropian vendosi që këtë ndeshje ta regjistrojë me rezultatin zyrtar 3-0 për rumunët pas mbledhjes së Komisionit të Disiplinës.

Federata Rumune e Futbollit u gjobit me 128 mijë euro për thirrje raciste, hedhje të objekteve në fushë, fërshëllimë të himnit etj; si edhe me një ndeshje pa praninë e tifozëve për shkak të thirrjeve raciste apo diskriminuese të tifozëve të saj. Me 6 mijë euro gjobë u gjobit edhe Federata e Kosovës.

Më 15 nëntor Rumania dhe Kosova u përballën në Bukuresht për Nations League. Sfida u ndërpre në minutën 90+3, kur kapiteni i dardanëve, Amir Rrahmani tërhoqi ekipin e tij nga fusha pas thirrjeve raciste të tifozëve vendas kundër shqiptarëve.

“Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi” ushtonin në arenën e Bukureshtit, me Rrahmanin që para vendimit kishte njoftuar tre herë më parë arbitrin, por pa marrë një përgjigje.

Pas më shumë se një ore në dhomat e zhveshjes, shumë bisedave, tensionit mes palëve dhe komunikimit mes zyrtarëve, Kosova nuk u kthye në fushë, duke ndjerë një racizëm të përsëritur në Bukuresht, njëjtë si një vit më parë.

Me sfidën që ishte 0-0 dhe donte vetëm dy minuta të përfundonte, Kosova nuk u kthye në fushë dhe ndeshja u mbyll.

Tanimë ekipi i Franco Fodas ka pësuar humbje në tavolinë dhe në renditje ka -1 pikë. Kështu shqiptarët tej Drinit e mbyllin Grupin C2 të Ligës së Kombeve me 12 pikë në vendin e dytë, tre pikë pas Rumanisë kryesuese. Dardanët janë në play-off për një shans më shumë ngjitjeje në Ligën B.

Kujtojmë se pas incidentit dhe një vendimi të pritshëm jo në favor të Kosovës, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi tha se këtë çështje do e dërgonin në Gjykatën Sportive të Lozanës (CAS). Pritet që zyrtarizimi i humbjes të vejë në lëvizje edhe organet e futbollit në Kosovë, për të marrë të drejtën e pretenduar.

Detajimi i gjobave për Rumaninë dhe vendimet…

Të shpallë ndeshjen e Ligës së Kombeve 2025 ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Federatës Rumune të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, e cila u luajt më 15 nëntor 2024, si një ndeshje e braktisur nga Federata e Futbollit të Kosovës (e cila për këtë arsye konsiderohet se ka humbur ndeshjen 3-0) për përgjegjësinë për mosluajtjen e plotë të ndeshjes (siç parashikohet në Nenin 25.01 Rregulloret e UEFA Nations League).

Të gjobisë Federatën e Futbollit të Kosovës me 6000 euro për sjellje të pahijshme të skuadrës së saj.

UEFA vendos:

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 50.00 euro dhe të urdhërojë mbylljen e stadiumit të Federatës Rumune të Futbollit gjatë (1) ndeshjes së ardhshme në të cilën Federata Rumune e Futbollit do të luajë si shoqatë mikpritëse, për sjelljen raciste dhe/ose diskriminuese të mbështetësve të saj ( në lidhje me thirrjet ksenofobike).

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 30.00 euro për transmetimin e mesazheve provokuese politike që nuk janë të përshtatshme për një ngjarje sportive .

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 9.000 euro për hedhjen e sendeve.

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 4.500 euro për ndezjen e fishekzjarreve .

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 8.000 euro për përdorimin e treguesit lazer .

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 12.500 euro për shkak të shqetësimit gjatë himnit kombëtar .

Të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 14.000 euro për bllokimin e rrugëve publike .

Të paralajmërojë Federatën Rumune të Futbollit për sjelljen e pahijshme të ekipit të saj.