Është gjetur trupi i pa jetë i Floresha Prengu, 35 vjeçe, banore e Trentos 40 kilometra larg shtëpisë përgjatë lumit Adige, raportojnë mediat italiane.
Trupi u njoh nga familjarët, të cilët shpresuan për një përfundim tjetër.
Floresha Prengu, me origjinë shqiptare dhe nënë e dy vajzave, ishte parë për herë të fundit në Trento më 22 tetor.
Më pas gjurmët e saj u humbën.
Pas zhdukjes së saj, familjarët iu drejtuan menjëherë forcave të rendit duke kërkuar që të kontaktojnë në 112 në rast se e shihnin atë.
Në ditët menjëherë pas zhdukjes u organizua një kërkim i gjerë në qytet, me përdorimin e skuadrave përgjatë lumit, zjarrfikësve vullnetarë përgjatë lumit Adige dhe helikopterit për verifikime nga ajri, që nuk dhanë rezultate konkrete.
Sipas autoriteteve, mendohet se 35-vjeçarja u mor nga rryma e lumit Adige, të cilës nuk arriti dot t’i mbijetonte.













