Ka ndërruar jetë një rreshter-majori i ushtrisë italiane i cili paditi shtetin e tij duke e akuzuar se ishin armët që e sëmurën gjatë një misioni që kishte zhvilluar në Kosovë. Marco Vergine nuk do ta dijë kurrë se si përfundoi beteja e tij ligjore pasi nderoi jetë në moshën 48-vjeçare.
Ai la pas gruan e tij Eleonorën me të cilën u martua më 7 korrik 2007 dhe një vajzë të mitur. Më 4 qershor u zhvillua funerali në Mogliano Veneto, plot me të afërm dhe miq dhe shumë uniforma ushtarake.
“Corriere della Sera” shkruan se Vergine pretendonte se kishte marrë sëmundjen, e cila më vonë rezultoi fatale, gjatë misioneve paqeruajtëse jashtë vendit dhe veçanërisht në Kosovë gjatë operacionit të quajtur “Roja e Përbashkët”.
Ushtaraku deklaronte se kishte qenë në kontakt për një kohë të gjatë me uraniumin e varfëruar dhe metalet e rënda të pranishme në municione, duke i thithur ato derisa i shkaktuan sëmundjen e gjakut nga e cila nuk u shërua kurrë. Këto janë materiale të përdorura në prodhimin e municioneve për t’i bërë ato më efektive.
Ato janë të vështira për t’u zbuluar sepse janë nanopjesëza, të shkaktuara nga shpërthimi, dhe nevojiten teste specifike dhe të thella për të zbuluar praninë e tyre në trupin e njeriut. Nëse ai do të fitojë gjyqin, familja e tij do të ketë një kompensim të konsiderueshëm nga shteti italian.
