Në sheshin para pallateve përballë Poliklinikës së Specialiteteve, pjesë e lagjes “Kongresi i Elbasanit” nuk është vënë ende dorë edhe pse punimet duhet të kishin përfunduar në zgjedhjet e vitit 2023.
Gropat e mëdha në këtë rrugë janë kthyer në një shqetësim të madh për banorët e lagjes. Ata shprehen se vështirësitë më të mëdha i hasin në kohë rreshjesh, pasi detyrohen të bllokohen në banesat e tyre. Më të vështirë e kanë personat e moshës së tretë pasi ka pasur edhe raste që janë rrëzuar.
“Ka kaq vite që sështë bërë gjë. Në rrugën mes pallatit dhe dyqanit krijohet një ujë që s’ka ku vete. Bëhem keq kur kaloj këtu se kohë rreshjesh nuk kalohet”-shprehet një banore e lagjes.
Një tjetër banor thotë se premtimet bëhen vetëm në periudhë zgjedhjesh, ndërsa nuk kanë marrë akoma një zgjidhje.
“Këtu ka qënë shumë shumë baltë, po I hodhen zhavor. Presim te vijnë zgjedhjet prap që të shikojmë c’do bëhët”- shprehet ai.
Janë të shumtë banorët që thonë se iu premtua rruga në këmbim të votave dhe se në atë periudhë nisën gërmimet që nuk kanë përfunduar edhe sot.
Elbasanion kontaktoi me bashkinë në lidhje me këtë problematikë, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.