12 minatorë kanë përfunduar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, pasi kanë pësuar lëndime si pasojë e derdhjes së acidit sulfurik në trup.
Sipas mediave në Kosovë dy prej tyre kanë marrë lëndime të rënda në sy, ndërsa 10 të tjerët janë duke u trajtuar në repartin e emergjencës.
Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka konfirmuar se dy minatorët me lëndime të syve, pas trajtimit në repartin e Emergjencës janë transferuar në repartin e Oftalmologjisë për trajtim të mëtejshëm.
“10 prej tyre janë duke u trajtuar në repartin e Emergjencës, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën dhe pas trajtimeve pritet të dërgohen në shtëpi”, thuhet në komunikatën për media të spitalit.













