DURRËS- Ditën e sotme banues të një pallati në lagjen 17 pranë Rajonit të Policisë së qytetit të Durrësit kanë dalë në protestë kundër rikonstruksionit të objektit. Ata shprehen se e kanë të pamundur të largohen nga banesa për 10 ditë.
Ata kërkojnë t’i paguhet qeraja për muajt që do të largohen nga shtëpia ose në të kundërt e refuzojnë këtë konstruksion. Banorët tregojnë se kanë përfituar bonusin e qeras gjithashtu kanë përfituar edhe shumën prej 500.000 lekë të reja në përputhje me aktekspertizën e bërë. Sipas së cilës objekti i banuar ka pasur dëmtime të nivelit DS3.
Mësohet se ata janë lajmëruar të boshatisin shtëpitë e tyre sepse pallati sipas rishikimeve të bëra është në nivelin e dëmtimit DS4. Gjatë protestës banorët u takuan edhe me nën kryetarin e bashkisë së Durrësit, Elio Jani i cili u shpreh se konstruksioni ishte në të mirë të qytetarëve, pasi pallati kishte kollonat e dëmtuara. Sipas tij rregullimi i tyre do të zgjaste 3 muaj dhe më pas qytetarët do të ktheheshin të sigurt në banesat e tyre.
