U filmua duke tërhequr kalin me makinë, procedohet penalisht 60-vjeçari në Elbasan

Elbasan, 5 Shtator 2025 – Një ngjarje e rëndë e dokumentuar në rrjetet sociale, ku një kalë shihej i lidhur me litar pas një automjeti në lëvizje në zonën e Mirakës, ka sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të Policisë së Librazhdit.

Pas publikimit të videos, shërbimet policore identifikuan dhe shoqëruan drejtuesin e automjetit. Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit N. L., 60 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.

Policia e Elbasanit u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të ngjashëm të paligjshmërisë, duke theksuar se garantohet anonimati dhe reagimi i paanshëm ndaj shkelësve të ligjit.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një kalë i lidhur me litar pas një automjeti në lëvizje, në vendin e quajtur Mirakë, ju informojmë se:

Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer veprimet për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin N. L., 60 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin pa pagesë 112 ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.