I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i cili u shtrua mbrëmjen e djeshme me urgjencë në spital, po merr trajtim të specializuar në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën spitalore Nënë Tereza në Tiranë.
Për shkak të statusit të tij të veçantë, Dumani po i nënshtrohet një sërë analizash specifike për të parë gjendjen e tij të plotë shëndetësore, pas problemeve që shfaqi me zemrën një ditë më parë.
Nuredin Dumani u shoqërua nga Forcat Speciale të burgjeve. Ndërkohë, Urgjenca e QSUT është rrethuar nga forcat RENEA.
Dumani është një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të drejtësisë gjatë viteve të fundit, i angazhuar në zbardhjen e shumë rasteve që lidhen me grupe të strukturuara kriminale dhe ngjarje të rënda në Shqipëri.
Deklaratat e tij kanë qenë thelbësore për SPAK-un në shpërbërjen e disa prej organizatave më të fuqishme kriminale në vend.
