U dënua për shpifje ndaj Saimir Kodrës, Egla Ceno: Do ta apeloj vendimin, nuk tërhiqem nga kauza ime

TIRANË, 21 TETOR 2025 – Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtore aktoren dhe moderatoren Egla Ceno për akuzën e shpifjes ndaj gazetarit dhe prezantuesit Saimir Kodra, në lidhje me deklaratat që ajo bëri gjatë qëndrimit të saj në “Big Brother”, ku pretendoi se ishte ngacmuar seksualisht në vendin e punës.

Vendimi, sipas avokatit të Cenës, parashikon që ajo të publikojë një përgënjeshtrim në një media publike, ndërsa aktorja vetë nuk ka qenë e pranishme në seancë. Në një prononcim në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Egla Ceno tha se do ta apelojë vendimin dhe do ta ndjekë çështjen në të gjitha instancat ligjore.

“Nuk marr përsipër të komentoj vendimin e gjykatës, pasi ende nuk është zbardhur. Avokati më informoi se jam shpallur fajtore dhe se dënimi konsiston në një përgënjeshtrim publik. Nuk e di mbi çfarë arsyetimesh është mbështetur vendimi, por do ta ankimoj dhe do t’i shkoj deri në fund,” deklaroi Ceno.

Aktorja shtoi se mbetet e vendosur në qëndrimin e saj dhe e konsideron këtë çështje si një kauzë sociale që duhet diskutuar publikisht. “Nuk do tërhiqem. Me mjete ligjore do ta vazhdoj këtë betejë, dhe dy jetë të kisha, do i shfrytëzoja për ta çuar përpara. Ndihem mirë që flitet për këtë, sepse duhet të flitet,” u shpreh ajo.

Ceno theksoi gjithashtu se deklaratat e saj në “Big Brother” ishin pjesë e një rrëfimi personal për një temë të ndjeshme, dhe se nuk kishte synim të dëmtonte askënd: “Unë bëra një rrëfim personal për një kauzë të lartë sociale. Nuk u shpreha në nxitim apo pa vetëdije. E thashë në atë moment sepse konteksti ishte i përshtatshëm për ta ndarë këtë eksperiencë.”

Ajo sqaroi se pas deklaratës publike nuk ka pasur asnjë kontakt me Saimir Kodrën dhe se çdo zhvillim i mëtejshëm do të ndodhë vetëm përmes institucioneve ligjore përkatëse. “Nuk më lidh asgjë me zotërinë në fjalë. Çfarë kam për të thënë do zhvillohet brenda institucioneve. Kam durimin e botës për ta çuar këtë kauzë deri në fund,” përfundoi Egla Ceno.