U arrestua me urdhër të SPAK/ Ish-deputeti Çyrbja dërgohet drejt Tiranës, nesër del para gjykatës

DURRËS- Ish-deputeti, Jurgis Çyrbja pasi qëndroi në ambientet e drejtorisë vendore të policisë së Durrësit, po transferohet drejt Tiranës. Çyrbja është arrestuar këtë të diel me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai fillimisht u mbajt në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe pak minuta më parë është nisur drejt Tiranës. Nesër pritet që ai të dalë para gjykatës, ku do i komunikohet masa e sigurisë.

Çyrbja u arrestua pasditen e sotme pasi dyshohet se ish-deputeti ishte përdorues i aplikacionit SKY dhe se bashkëpunoi me personazhe të një grupi kriminal në Durrës. Bashkë me të është arrestuar edhe një bashkëpunëtor i identifikuar si Ahmet Masha. Masha është personi i dytë që ra në pranga me urdhër të SPAK. Ai është një emër i njohur për drejtësinë dhe Policinë, për disa vepra penale të mëparshme dhe i hetuar.

Përveç arrestimit të Çyrbjes dhe Mashës, në kërkim është shpallur edhe një tjetër shtetas. Sipas njoftimit të SPAK ish-deputeti akuzohet për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. SPAK nuk ka dhënë detaje më shumë në lidhje me arrestimin por ka njoftuar se nesër do të mbajnë një njoftim për shtyp.