DHERMNI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën bregdetare të Gjipesë. Mësohet se një turist gjerman është goditur nga helika e një skafi. Ngjarja ka ndodhur teksa një 27-vjeçar me iniciale K.V duke drejtuar një mjet lundrues gomone ka dëmtuar turistin gjerman.
Menjëherë pas incidentit në vendngjarje është thirrur me urgjencë një helikopter për transportin e të plagosurit drejt spitalit. Megjithatë ende nuk dihen rrethanat e plota të incidentit, ndërsa priten detaje të reja nga autoritetet për gjendjen shëndetësore të turistit gjerman.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit lundrues, në Stacionin e Policisë Dhërmi, si dhe të personave të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje.
Njoftimi i Policisë:
Sot, rreth orës 13:40, në plazhin e Gjipesë, dyshohet se shtetasi K. V., 27 vjeç, banues në Orikum, duke drejtuar një mjet lundrues gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, ka dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje në afërsi të mjetit lundrues, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Dhërmi, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas kanë organizuar transportimin e tij të menjëhershëm drejt spitalit, për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit K. V., në Stacionin e Policisë Dhërmi, si dhe të personave të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje.
Vijon puna e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
