Trump paraqitet në burgun e Xhorxhias!

Donald Trump u dorëzua të enjten në mbrëmje tek autoritetet e Xhorxhias për t’u përballur me akuzat për përpjekjet për përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet.

Trump u arrestua për akuzat e ngritura ndaj tij, megjithatë, pas 20 minutash u la i lirë kundrejt një garancie prej 200,000 dollarësh. Por këto minuta ishin të mjaftueshme për Trump që të hynte në historinë e shtetit amerikan si ish-presidenti i parë, të cilit i merret fotografia e portretit nga policia si një i dyshuar.

Pas lirimit, ish-presidenti shkoi në aeroport për t’u rikthyer në Nju Xhersi, ku ai ka një nga rezidencat e tij.

Të dhënat e burgut treguan se kishte një gjatësi prej 1.90 metrash dhe peshon 97 kg, me sy blu dhe flokë bionde, teksa numri i tij i rezervimit ishte P01135809.

Përpara se të hipte në avionin e tij privat në aeroportin “Hartsfield-Jackson” të Atlantës, Trump përsëriti pretendimin e tij se prokuroria në Xhorxhia, ashtu si prokurorët në paditë e tjera me të cilat ai përballet, është e motivuar politikisht.

“Ajo që po ndodh këtu është një farsë e sistemit të drejtësisë. Nuk kam bërë asgjë të gabuar dhe të gjithë e dinë këtë.”-, u tha ai gazetarëve.

Dorëzimi i ish-presidentit Trump tek autoritetet e zbatimit të ligjit është bërë tashmë një pamje e zakonshme. Është hera e katërt që ndaj tij ngrihet një aktpadi, diçka e pashembullt për një ish-president, aq më tepër gjatë një sezoni zgjedhor, ku ai po kandidon për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Por paraqitja e tij në Atlanta ishte e ndryshme nga tre procedurat e kaluara. Ai u dorëzua në mbrëmje, por pa u paraqitur në gjykatë. Në rastet e tjera, ai nuk ka qenë i detyruar të fotografohet si i akuzuar, por zyrtarët e qarkut të Fultonit kishin thënë se do të vepronin në përputhje me procedurat, që përfshijnë fotografimin e tij si të çdo të akuzuari tjetër.

“Ne do të veprojmë sipas praktikave tona të zakonshme, dhe pavarësisht statusit, do të përgatisim fotografimin,” kishte deklaruar sherifi i Qarkut të Fulton, Patrick Labat.

Dorëzimi gjithashtu nuk u bë në një bastion liberal si Nju Jorku apo Uashingtoni, por në zemër të një shteti që pritet të jetë një fushëbetejë vendimtare për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Dorëzimi i Trump erdhi një ditë pas debatit presidencial ndërmjet rivalëve të tij kryesorë në kampin republikan, garë kjo në të cilën ai vazhdon të kryesojë, pavarësisht gjithë problemeve ligjore.

Paraqitja e tij në Xhorxhia, edhe pse zgjati vetëm disa minuta, largon të paktën përkohësisht vëmendjen nga kundërshtarët e tij, të cilët gjatë debatit të së mërkurës në mbrëmje munduan të shfrytëzojnë mungesën e Trump për të përmirësuar shanset e tyre në garën presidenciale.

Aktpadia e ngritur nga prokuroria e qarkut të Fultonit në Xhorxhia, është çështja e katërt penale kundër Trump që nga muaji mars, kur u bë ish-presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballej me aktpadi. Ai po përballet me akuza federale në Florida dhe Uashington.

Këtë muaj, ndaj Trump dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij përfshirë ish-shefin e kabinetit, Mark Meadows, dhe ish- kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani, u ngritën aktakuza në bazë të një ligji anti-mafia, të përdorur në të kaluarën për të luftuar bandat kriminale dhe ato të krimit të organizuar. Giuliani, avokat dhe këshilltar i afërt i Trump, po ashtu u dorëzua të mërkurën dhe u fotografua si i dyshuar.