DVP Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Border”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Operacioni, rezultat i një hetimi disajavor, i zhvilluar me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Prrenjas, në drejtimin e Prokurorisë.
Vihen në pranga 3 shtetas, të cilët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë dhënë ndihmë një emigranti për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, kundrejt përfitimit monetar.
Procedohet penalisht 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Sekuestrohen 2 automjete, 4 aparate celularë, shuma monetare në valuta të ndryshme dhe dokumente personale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Prrenjas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një pune hetimore të ndjekur me metoda proaktive dhe të bazuar në informacione operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Border”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
D. Z., 49 vjeç, banues në Strugë, Maqedonia e Veriut;
T. Z., 48 vjeçe, banuese në Gostivar, Maqedonia e Veriut (bashkëshortja e shtetasitD. Z.);
T. Q., 39 vjeç, banues në fshatin Rrajcë, bashkia Prrenjas.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin:
S. K., 31 vjeç, banues në Stambull, Turqi.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit D. Z. dhe T. Z., në bashkëpunim me shtetasin T. Q., kanë organizuar dhe realizuar dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror për shtetasin S. K., kundrejt përfitimit monetar. Konkretisht, shtetasit D. Z. dhe T. Z. kanë transportuar emigrantin nga territori i Maqedonisë së Veriut në drejtim të kufirit të gjelbër pranë PKK Qafë Thanë, ku më pas, me ndihmën e shtetasit T. Q., është mundësuar kalimi i paligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllim vijimin e udhëtimit drejt qytetit të Tiranës.
Gjatë operacionit u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 automjete, 4 aparate celularë, shuma monetare në lekë, euro dhe valuta të tjera të huaja, si dhe dokumente personale identifikuese, të cilat do t’i shërbejnë hetimit.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se emigranti i ndihmuar, shtetasi S. K., është shtetas turk dhe rezulton në kërkim kombëtar nga autoritetet e Turqisë, i dyshuar për vepra penale në fushën e krimeve të rënda dhe të narkotikëve. Për këtë shtetas janë kryer procedurat përkatëse ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.













