Transportonte emigrantë, arrestohet 56-vjeçari në Elbasan

Një 56-vjeçar është kapur duke transportuar katër emigrantë nga Pakistani me furgonin e tij sot në Elbasan. Bëhet me dije se F. K 56 vjeç transportonte emigrantët me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Për pasojë 56-vjeçarit iu sekuestrua automjeti dhe dy telefona.

Njoftimi i Policisë:

U kap duke transportuar me furgon, kundrejt fitimit, emigrantë nga Pakistani, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 56-vjeçari.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Four ”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

F. K., 56 vjeç, banues në Korçë.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në unazën e qytetit, Elbasan, duke transportuar me furgon, kundrejt fitimit, 4 emigrantë nga Pakistani, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.