Transformimi/Liqeni i Ohrit ‘në listën e zezë’ të pasurive të rrezikuara të njerëzimit, UNESCO raporton shqetësimin

Ndërhyrje pa kriter, investime që ndryshojnë peisazhin, mungesa e vëmendjes për ruajtjen e mbrojtjen e pasurive nën dhe përreth liqenit të Ohrit kanë bërë që UNESCO të kthejë vëmëndjen dhe të propozojë liqenin më të thellë në Europë dhe pasuritë përreth tij në listen e pasurive të njerëzimit në rrezik. Gjithçka do të vendoset në edicionin e vitit të ardhshëm ndërkohë që verifikimet dhe shqetësimet janë përcjellë në edicionin e radhës që u zhvillua në korrik në Indi ku liqeni i Ohrit mori një vëmendje të veçantë.

Në raportin e hartuar mbi liqenin e Ohrit që përfshin dy vendet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut komiteti ndërqeveritar për Mbrojetjen e pasurisë Kulturore dhe Natyrore në sesionin e 46 të zhvilluar në 21-31 korrik 2024 në Neë Delhi të Indisë, ka rënditur disa problematika lidhur me parkun natyror të Drilonit.

Në 12 janar të këtij viti shteti shqiptar prezantoi dizenjimin e parkut të Peizazhit Ujor të Drilon-Tushemishtit para UNESCO-s me pjesëmarrjen e Ministrisë së Kulturës, të Mjedisit dhe të investitorit AADF.

Dy muaj pas këtij prezantimi,  më 21 mars 2024, UNESCO i dërgoi një letër të dytë shtetit shqiptar, duke përfshirë shqetësime nga një palë e tretë në lidhje me projekte të mundshme zhvillimi në Pogradec dhe ndikimet e tyre negative në trashëgiminë mjedisore, ekologjike dhe kulturore, përfshirë një garë me skafe me motorë në Liqenin e Ohrit. Sipas raportit të UNESCO Shqipëria e mohoi këtë informacion në përgjigje të dokumenteve të dorëzuara pas misionit të Monitorimit Reaktiv në mars 2024.

Në raport UNESCO ngre disa problematika. “Zgjerimi i rrugës midis Qafëthanë dhe Pogradecit ende nuk është zhbërë, dhe ndërtimi i një rruge anashkalimi midis Pogradecit, Tushemishtit dhe kufirit me Maqedoninë e Veriut është planifikuar pranë burimeve të Drilonit, me rrezikun e ndotjes së mjedisit. Plani për Parkun Ujor të Drilon-Tushemishtit përfshin ndërtim në tokë bujqësore, që një mision i vitit 2020 kishte rekomanduar të mos zhvillohej. Gjithashtu, nuk është përjashtuar përfundimisht ndërtimi i infrastrukturës rrugore në zonën e burimeve të Drilonit”.

Ndërkohë ky raport ngre edhe shqetësimin e ujërave të zeza që derdhen në liqen. “Zbatimi i planit për zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve po ecën ngadalë, dhe megjithëse ligji i ri për bizneset private është pozitiv, mungojnë dispozita që garantojnë pajtueshmërinë me rregullat, duke bërë të paqartë se si do të trajtohet çështja e rrjedhjeve të pakontrolluara të ujërave të zeza. Ndërhyrjet emergjente për të trajtuar kërcënimet ekzistuese, të kërkuara nga Komiteti, ende nuk janë ndërmarrë”.

Situata e përkeqësuar ndërmjet zonës ndërkufitare për ruajtjen dhe mbrojtjen e ekosistemit dhe trashëgimisë rreth liqenit ka bërë që në sesionin e ardhshëm të vendoset për ta shpallur liqenin e Ohrit në listën e pasurive botërore të rrezikuara.

“Raporti i misionit të Monitorimit Reaktiv do të jetë i disponueshëm pas sesionit të 46-të të Komitetit, dhe përfundimet e tij do të prezantohen në sesionin e 47-të. Vendimi për të shpallur zonën si një pronë në rrezik në Listën e Trashëgimisë Botërore, duke kërkuar veprime emergjente për të ruajtur vlerat e saj të jashtëzakonshme universale, do të merret në sesionin e ardhshëm” përfundon raporti.

Urbanistja Doriana Musai i cilëson transformimet e parkut të Drilonit me ndikim negativ në burim.
“Parku i projektuar i Drilonit, ka patur në qëllim te tij, ruajtjen e burimit të ujit, si një nga dy pikat furnizuese të liqenit te Pogradeci, ndërsa tjetri është ai në Shën Naum. Të dyja këto degëzime të burimit që vijnë nga liqeni i Prespes, janë jetësore liqenin. Ndërhyrjet që bëhen në transformimin e zonës, sidomos ato me karakter ndërtimor, koracues dhe betonizues ndikojnë negativisht në burim.
Pra nuk kemi të bëjmë thjesht me një park qyteti të cilin mund ta vizatojmë dhe dekorojmë si të duam, por për burimin e ujit të liqenit, që i jep jetë jo vetëm Pogradecit, por furnizon Drinin e Zi, e më tej siguron prodhimin e energjisë elektrike për të gjithë Shqipërinë. Ndërhyrja në Drilon, duhet konsideruar si një ndërhyrje në sistemin natyror ujëmbledhës të vendit”.
Musai ngre shqetësimin e menaxhimit të mbetjeve, si një emergjencë ndërkohë që thekson ndikimin negativ afatgjatë që do të ketë ç´natyralizimi i zonës dhe urbanizimi i saj.
“Zhvillimet urbane brenda kësaj zone, kërkojnë përveç se vizion largpamës të paktën për 50 vite, po ashtu edhe një bashkëpunim me komunitetin e zonës që është tërësisht i përjashtuar nga vendimarrja. Nëse ka një ndërhyje që është emergjente në Drilon është pastrimi dhe menaxhimi i mbetjeve urbane dhe ato që janë shkaktuar nga ndërtimi në perimetër dhe në brendësi, rijetëzimi i hapësirave të mbjella sidomos ato të prera dhe dëmtuara nga betonizimi. Ç’natyralizimi i zonës dhe urbanizimi i saj, jo vetëm që do të dëmtojë peizazhin, do të rrezikojë burimin e liqenit, por edhe do të ndikojë negativisht në turizëm, vlerën e pronare dhe cilësinë e jetës së njerëzve që banojnë aty. Bardha Nergjoni