Pas spitalit të Shkodrës, ka reaguar edhe policia e qytetit për tragjedinë ku një 3-vjeçar nga Mjeda humbi jetën, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike.
Policia thotë se prindërit i dërguan fëmjët në spitalin e Shkodrës, ditën e premte, me dyshimet se ishin prekur nga virozat e stinës, dhe më pas u larguan në banesë.
Një ditë më pas, të shtunën, babai u paraqit me dy fëmijët sërish në spital, këtë herë ata ishin në gjendje kritike.
Sipas burimeve nga spitali i Shkodrës, dyshohet se fëmijët kanë pësuar helmim në gjak, ndërsa toksikologjia pritet të zbardhë edhe shkakun e helmimit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.
Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.
