Tragjedi në Turqi/ Zjarri përfshin një rezort skish, 10 persona të vdekur dhe 32 të plagosur (FOTO+VIDEO)

TURQI- Një zjarr ka përfshirë një hotel në vendpushimin e skive Kartalkaya, në provincën Bolu të Turqisë veriperëndimore, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe 32 të plagosur.

“Sot në orën 03:27 ka rënë zjarr në një hotel në vendpushimin e skive në Kartalkaya për fat të keq numri i të vdekurve ka arritur në dhjetë dhe numri i të lënduarve në 32”, njoftoi ministri përmes X.

Zjarri shpërtheu në katin e katërt të hotelit 11-katësh dhe zjarrfikësit po punojnë ende për ta shuar atë, tha për transmetuesin shtetëror TRT guvernatori i Bolu-s, Abdulaziz Aydin.

Ai tha se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit dhe autoritetet janë duke kryer hetimet. Ai shtoi se zjarri ka rënë në dyshemenë e restorantit dhe ndërsa në hotel ndodheshin 234 mysafirë. Pamjet e transmetuara nga mediat lokale, përfshirë TRT, tregojnë flakët që kanë përfshirë çatinë dhe katet e sipërme të hotelit.