Trafiku i emigrantëve të parregullt nga Lindja në lulëzim/Si organizohen, format dhe rrugët që përdorin për tranzitin në këmbim të fitimit

Daniela Zisi

Rritja e ndjeshme e fluksit të emigrantëve nga vendet e Lindjes të mbetur pa rrugëdalje në kampet e Greqisë, ka aktivizuar prej më shumë se dy vitesh një rrjet të mirëorganizuar të transportit të tyre, i cili po fuqizohet dita-ditës nga nevoja e emigrantëve për të shkuar në vendet e BE por edhe lufta e pamjaftueshme e organeve ligjzbatuese për të goditur këtë veprimtari të paligjshme.

Dëshmitë e emigrantëve, udhëtimi i të cilëve drejt Tiranës apo pikës kufitare të Muriqanit, është ndërprerë nga operacionet e policisë lokale, hedhin dritë mbi aktivitetin e grupeve kriminale, të shtrira në juglindje dhe rrjetin e tyre të bashkëpunëtorëve në qytete të tjera të vendit me të cilët kordinojnë veprimet dhe ndajnë fitimet. Në përgjigjen e kërkesës për informacion të Drejtorisë së Policisë së Korçës sqarohet se: “Bazuar nē hetimet e kryera nga policia rezulton se emigrantët e paligjshëm pasi hyjnë tranzit në vendin tonë duke përdorur kufirin e gjelbër në zonën e Devollit, nëpërmjet bashkombasve të tyre që e kanë përshkuar mē herët kētë intenerar, gjejnë numra kontakti të personave nga qarqet e Korçës,Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës, të cilët mund t’i transportojnë. Emigrantët i kontaktojnë ata në rrjtet sociale duke ju treguar vendndodhjen e tyre. Transporti nē shumicën e rasteve kryhet me mjete të marra me qira në qytete të ndryshme të vendit, por ka edhe raste kur shtetas nga vendet e Lindjes, të cilët janë rezidentë në Greqi, kanë organizuar transportin e emigrantëve nga territori grek në atë shqiptar”thuhet në përgjigje të kërkesës për informacion.

Nga ana tjetër, burime të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë pohuan se transporti i paligjshëm i emigrantëve nga vendet e Lindjes ka marrë përmasat e krimit ndërkombëtar, pasi grupet kriminale shqiptare po bashkëpunojnë edhe më elementë apo organizime të ngjashme në Greqi prej nga vjen fluksi i emigrantëve tē parregullt.

Transporti i emigrantëve shpesh bëhet me mjete të marra me qira, kryesisht xhipa ose furgonë por nuk janë të pakta rastet kur transporti i tyre  bëhet edhe me kamionë. Për të shmangur kontrollet e policisë,trafikantët devijojnë nga akset nacionale Kapshticë-Korçë-Qafëthanë duke udhëtuar në rrugën dytësore që kalon mes fshatrave të Maliqit dhe më tej del në rrugën nacionale që të çon në Pogradec. Jo gjithmonë pagimi i shumës së kërkuar nga trafikantët mjafton që ata të shkojnë në destinacion. Të shumta janë rastet kur emigrantët dhe familjet e tyre janë dhunuar, grabitur dhe lënë në mes të rrugës nga trafikantë të cilët i kanë mashtruar fillimisht duke i futur në makinat e tyre dhe më pas i kanë zbritur dhunshëm duke ju marrë gjithçka. Gjatë vitit të fundit policia e Korçës ka rregjistruar vetëm një kallëzim të një grupi prej 4 emigrantësh të parregullt të cilët u dhunuan me mjete të forta dhe u grabitën nga një person që ishte prezantuar si taksist, ngjarje së cilës nuk i është gjetur ende autori.

Saleh Ebrahimi pasi qëndroi për gati një vit si i pastrehë në Greqi, tentoi të kalonte në këmbë vijën e gjelbër me Shqipërinë. Herën e parë ai udhëtoi deri në Kostur me autobus dhe më pas përmes një taksixhiu u afrua edhe më tepër me kufirin, ku së bashku me një grup emigrantësh të tjerë udhëtuan drejt Shqipërisë. Ndërsa u kapën nga policia, atyre ju refuzua mundësia e qëndrimit në Shqipëri për shkak të pandemisë, ndaj u detyruan të kthehen pas. Por ndryshe nga ky grup, të tjerë me të cilët qëndruan në kamp, ja dolën ta finalizojnë udhëtimin e tyre edhe pse financiarisht u kushtoi shumë.

“Në Greqi trafikantët na ofroheshin vetë. Na premtonin se na conin deri në vendin që donim por kjo kushtonte sidomos për shtetet si Gjermania e Franca”. – tregon ai.
Tentativat e tij për të kaluar Shqipërinë si një vend tranzit janë të shumta dhe deri tani të pasuksesshme ndryshe nga shokët e tij, të cilët prej kohësh kanë arritur në Austri. Sipas emigrantit që prej 3 ditësh gjendet në kufirin e gjelbër, udhëtimi i tij është vështirësuar për shkak se ai nuk ka shumën monetare që duhet paguar nëse lidhesh me njerëzit e duhur. “Pasi të shkoj në Tiranë, do të iki në Kosovë e më pas në Serbi. Më duhet të hyj në Hungari dhe më pas në Austri. Nëse për të kaluar nga një vend në tjetrin më duhet të paguaj nga 5000 euro, ky udhëtim kushton shumë. Shokët e mi më kanë treguar se për të kaluar nga Greqia në Shqipëri e më pas në Kosovë paguan nga 2000 euro. E kishin të garantuar që do t’i transportonin pa problem. Më andej ishte më e vështirë të kaloje dhe u kërkonin më shumë para” – rrëfen ai.

Një nga inteneraret e rrahura kohët e fundit nga trafikantët është edhe kalimi nga Maliqi në drejtim të Lozhanit dhe prej aty emigrantët transportohen drejt Gramshit për të mbërritur në Tiranë. Policia e Korçës gjatë operacioneve të quajtura Perimetri vitin e fundit ka ndaluar veç trafikantëve vendas edhe emigrantë të cilët janë përfshirë në këto grupe kriminale. Roli i tyre sipas burimeve të Prokurorisë së Korçës ka qenë kryesisht gjetja në kampet e Greqisë e emigrantëve të cilët mund të sigurojnë para për udhëtimin përmes tertitorit shqiptar dhe më pas shoqërimi i tyre nga vija kufitare deri në Tiranë.
Trafikimi i emigrantëve si një aktivitet me fitime të larta, ku tarifat për çdo person variojnë nga 600 deri 1500 euro ka përfshirë si pjesë të rrjetit edhe punonjë policie,tha një burim në policinë e Korçës që nuk pranoi të identifikohej.
Policët, vijoi burimi qw preferoi tw mos identifikohej,  informojnë trafikantët për vendndodhjen e kontrolleve të policisë,duke ju treguar oraret dhe segmentet ku janë planifikuar të pozicionohen patrullat. Në këtē mënyrë trafikantët kalojnë në momentin kur postbllokët e policisë janë larguar dhe koridoret e kalimit, kryesisht nga rrugët dytësore janë të hapura.
Pavarësisht aksioneve të policisë së Korçës dhe Pogradecit ndaj trafikut të emigrantëve, një numër i konsiderueshëm i tyre arrijnë të kalojnë pa problem edhe kontrollet e policisë, të ndihmuar nga kolegë të tyre,që janë bërë pjesë e këtyre rrjeteve.
Deri në mes të muajit nëntor nga policia u arrestuan 58 persona për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit ndërsa u kapën 711 migrantë të paligjshëm.
Prokuroria e Korçës ka referuar në gjykatë 48 kërkesa me objekt caktimin e masës së sigurisë dhe vlerësimin e arrestit në flagrancë. Brenda një viti Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka përfunduar gjykimin dhe ka dhënë vendim për 9 nga 14 dosje, ku janë deklaruar fajtorë 17 persona.

Ky artikull u prodhua në kuadër të nismës “Siguria për Qeniet Njerëzore dhe Kufijtë – Luftimi i Kontrabandës së Migrantëve në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjesi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Europian.