Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, arrestohet 27-vjeçari: Sekuestrohen 12 pistoleta Glock

Një 27-vjeçar nga Kosova ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi dyshohet se po trafikonte armë zjarri drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i arrestuari është Dugagjin Berisha, 27 vjeç, i cili u ndalua në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Volkswagen”. Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura nën kofano 10 pistoleta të tipit “Glock” me municion luftarak, ndërsa dy armë të tjera u sekuestruan në vijim të procedimit penal, duke e çuar totalin në 12 pistoleta.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Barriera”, i finalizuar pas disa javësh hetime me metoda proaktive nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Nga hetimet paraprake dyshohet se armët e trafikuara nga Kosova do të shiteshin në zonën e Freskut, në Tiranë.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikimit të armëve të zjarrit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.