“Tirana Vertikale: Arkitektura e Pushtetit”, një dokumentar për modelin e zhvillimit

TIRANË- Nëse do ta shikonim Tiranën si turistë, apo thjesht duke e vëzhguar nga lart, me gjasë se do ta perceptonim edhe ne si ai qyteti tipik në zhvillim.

Vija e drejtë e bulevardit qendror, që lartësohet nga kulla dhe plot projekte që premtojnë modernitet. Një panoramë zhvillimi që duket se të bind se ky qytet është tejet i jetueshëm.

Por qyteti nuk kuptohet nga qielli. Nuk kuptohet si vizitor. Ai lexohet në tokë, nga ata që e jetojnë çdo ditë, në rrugët që janë ngushtuar, hapësirat që janë zhdukur, ndërtesat e vjetra që nuk janë më dhe në historitë që janë fshirë për t’i hapur vend një tjetër vizioni.

Dokumentari “Tirana vertikale: Arkitektura e pushtetit”, nuk është thjesht një rrëfim për kullat. Është një dëshmi vizuale mbi mënyrën se si pushteti e ndryshoi kryeqytetin, dhe përmes tij, realitetin.

Ndryshimi u shfaq fillimisht si një vizion përmes Planit të Përgjithshëm Vendor “Tirana 2030,” i cili premtoi një qytet të balancuar: me hapësira publike, unaza të gjelbra, transport të organizuar dhe zhvillim të kontrolluar. Një shkëputje nga kaosi i së shkuarës nën tranzicionin pa rregulla.

Por zhvillimi real ndoqi një tjetër trajektore. Në vend të një qyteti të planifikuar, u materializua një qytet “i negociuar.” Një hapësirë ku plani u shkel vazhdimisht, rregullat u anashkaluan dhe zhvillimi u kanalizua drejt një modeli të vetëm: vertikalitetit.

Në një dekadë, mbi 140 projekte kullash u shqyrtuan ose miratuan. Miliona metra katrorë ndërtim kanë ndryshuar përfundimisht profilin e kryeqytetit duke bërë që të mbizotërojë një konfuzion i thellë: për kë u ndërtua ky qytet?

Doriana Musai, arkitekte dhe planifikuese urbane, na përcjell në disa pika kyçe të Tiranës, aty ku historia urbane është thyer ose transformuar.

Stadiumi Kombëtar, i kthyer në një model partneriteti publik-privat, ku funksioni publik duket gjithnjë e më periferik.

Piramida, një simbol i diktaturës që nuk u përball me të shkuarën, por u ripaketua në një formë të re, pa e zgjidhur konfliktin e saj historik.

Teatri Kombëtar, i shembur në mënyrë brutale, në një moment që ndryshoi raportin mes qytetarëve dhe pushtetit. Të tria, ndonëse të ndryshme, tregojnë të njëjtën logjikë: transformim, privatizim ose zhdukje në funksion të një zhvillimi që e shpërfilli publikun.

Ervin Goci, pedagog i komunikimit, prej vitesh aktivist i çështjeve publike, ndalet te sheshi “Skënderbej” për ta treguar atë jo si një histori suksesi urban, por si një mekanizëm, sipas së cilit u ushqyen më tej projektet e kullave.

Një hapësirë që krijon iluzionin e frymëmarrjes, ndërkohë që përreth saj u ndërtua dhe po vijohet të ndërtohet në densitet ekstrem. Sheshi u kthye në një skenë ku ekspozohen kullat, ndërsa qytetarët u detyruan të zhvendosen në periferi të vetë përvojës urbane.

Një ndryshim i heshtur, por thelbësor ku qyteti nuk u organizua më për njerëzit, por për të mbështetur një model zhvillimi që justifikoi edhe flukse buxhetesh që në rrethana dhe kontekste të tjera nuk do të mund të ishin justifikuar.

Historia e një qyteti nuk zhduket vetëm duke shembur godinat historike të saj, por edhe duke i transformuar ato. Ndërtesat humbasin identitetin, funksionet ndryshojnë, dhe me kalimin e kohës qyteti fillon të harrojë vetveten.

Në këtë proces, arkitektura nuk është më thjesht procesi i ndërtimit, por kthehet në instrumentin e pushtetit, komunikimit dhe kontrollit.

Prof. Dr. Nebi Bardhoshi sjell një rrugëtim antropologjik të projektit në tentativë të “Bulevardit të Ri”, ku analizon sesi shoqëria dhe kontekstet sociale të zonave të ndryshme të Tiranës u shpërfillën dhe anashkaluan nga interesat e ndërtimit.

Mungesa e lidhjeve të forta komunitare bëri që rastet e xhentrifikimit si te 5 Maji; Unaza e Madhe; Kombinati; Shkoza etj. të kaloheshin pa një analizë dhe kuptim të thellë shoqëror.

Dokumentari nuk jep një përgjigje të thjeshtë, por lë një pyetje të hapur: Çfarë është Tirana sot? Një qytet i qytetarëve? I turistëve? Apo i atyre që e ndërtojnë dhe e tregtojnë atë?

Mes kullave, hapësirave të mbetura dhe kujtesës që zbehet, mbetet një realitet më kompleks se çdo render apo projekt. Një qytet që duhet kuptuar përpara se të jetë shumë vonë për ta ndryshuar dhe korrigjuar atë./Citizens.al