Thellohet tragjedia në Vlorë – Humb jetën edhe adoleshenti, bilanci shkon në dy të vdekur

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur sot në Vlorë ka marrë përmasa edhe më tragjike. Pas vdekjes së njërit prej personave që ndodheshin në motomjetin e aksidentuar, fatkeqësisht ka ndërruar jetë edhe adoleshenti që ishte pasagjer.

Ngjarja ndodhi pranë një karburanti, ku një motor tip Piaggio doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë druri. Si pasojë e përplasjes së dhunshme, njëri prej të rinjve humbi jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa adoleshenti tjetër u transportua në gjendje të rëndë në spital.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, plagët e marra rezultuan fatale edhe për të dhe mëngjesin e sotëm u konfirmua ndarja e tij nga jeta.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të aksidentit. Dyshohet se humbja e kontrollit të motorit është shkaku kryesor i daljes nga rruga.

Ky aksident i rëndë ngre sërish shqetësimin për sigurinë në rrugë, sidomos në drejtimin e mjeteve motorike nga të rinjtë, shpesh pa mbrojtje dhe përgatitje të duhur.