Tërmet me magnitudë 5.6 ballë në lindje të Turqisë, lëkundjet ndihen në disa provinca

Një tërmet me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm provincën e Malatya-s në Turqinë lindore. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht përmes një deklarate për mediat nga Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Sipas të dhënave teknike të regjistruara nga kjo agjenci, epiqendra e lëkundjeve sizmike u lokalizua në rajonin Batalgazi të Malatya-s. Tërmeti u shënua saktësisht në orën 09:00 të mëngjesit dhe kishte një thellësi fokale mjaft të caktë, prej 7.03 kilometrash nga sipërfaqja e tokës, çka ka bërë që lëkundjet të jenë mjaft të ndjeshme.

Për shkak të forcës së tij, tërmeti ka krijuar panik dhe shqetësim te banorët, ndërsa raportohet se dridhjet janë ndjerë qartë edhe në disa provinca fqinje, përfshirë Kahramanmaras dhe Diyarbakir.

Deri në këto momente, autoritetet turke të emergjencave nuk kanë raportuar për viktima në njerëz apo për dëme serioze materiale. Megjithatë, ekipet e specializuara dhe autoritetet përkatëse lokale kanë zbritur në terren dhe po vijojnë kontrollet e imtësishme në të gjitha zonat e prekura për të verifikuar situatën e strukturave dhe banesave.