ITALI- Një grup i armatosur ka sulmuar dy furgonë të blinduar që transportonin para, duke shkaktuar panik dhe bllokim të plotë të trafikut. Sipas mediave vendase, grabitësit, të pajisur me armë gjysmëautomatike dhe eksplozivë, tentuan të ndalonin automjetet duke hedhur në asfalt gozhda metalike me tre maja dhe duke qëlluar drejt një kamioni cisterne të parkuar anash, i cili duhej të bllokonte rrugën.
Megjithatë, plani i tyre dështoi, pasi falë reagimit të menjëhershëm të rojeve të sigurisë dhe ndërhyrjes së shpejtë të policisë, autorët u detyruan të largoheshin duarbosh. Sipas dëshmitarëve, gjatë sulmit u dëgjuan të shtëna dhe një shpërthim, ndërsa në vendngjarje u gjetën dhjetëra gozhda metalike, prova e qartë e një operacioni të planifikuar me kujdes.
Pas arratisjes, grabitësit u larguan në këmbë përmes fushave dhe më vonë i vunë flakën një automjeti në zonën e Porto Potenza Picena, që dyshohet se ishte përdorur gjatë tentativës. Menjëherë pas ngjarjes, Shtabi i Policisë së Maceratës aktivizoi planin kundër grabitjeve, ku u ngritën postblloqe në pika strategjike dhe oficerët e policisë shkencore nisën ekspertizën në vendin e ngjarjes













