Temperaturat në ekstrem/ Qytetarët e Elbasanit: Të vihen në funksion çezmat dhe shatërvanët

Screenshot

Elbasani për shkak të temperaturave të regjistruara është cilësuar një nga qytetet më të nxehtë në Shqipëri, megjithatë të pakta janë cezmat me ujë të pijshëm, ndërsa i vetmi shatërvan funksional ndodhet para pallatit të sportit.

Qytetarët shprehen se qytetit i mungon uji dhe se kjo situatë me këto temperatura është e papërballueshme sidomos për moshat e treta.

“Me gjithë këtë vapë sidomos, s’duheshin nisur punimet. Duhet uji, të ketë nëpër çezma se s’përballohen këto temperatura”- shprehet një qytetare.

Vec mungesës së ujit në hapësirat publike, qytetarët ankohen edhe për oraret e reduktuara të ujit të pijshëm si dhe për rritjen e tarifës, për cilën nuk ka ende një informacion, sidomos për ata qytetarë që vazhdojnë ta paguajnë ujin aforfe.

“Ne s’kemi ujë në shtëpi, vjen me orar, një orë dhe ikën. Ne i paguajmë të gjitha faturat, thanë që do e bëjnë 24 h, të shikojmë çdo bëhet”- shprehet një tjetër.

Reduktimi i hapësirave të gjelbërta, shtimi i betonizimit dhe punimet në qendër të qytetit gjatë sezonit veror kanë bërë që qytetarët ta ndjejnë edhe më shumë të nxehtin e këtyre ditëve duke Ia bërë më të vështirë jetesën.