Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Komisariati i Policisë Librazhd ndaloi me iniciativë shtetasin D. H., 31 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasin serb A. G., 66 vjeç, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Prrenjas-Librazhd”, kamioni që ai drejtonte ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin R. P., 72 vjeç, banues në Tiranë. Si pasojë është dëmtuar shtetasi R. P., i cili është në kujdesin e mjekëve.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin J. B., 49 vjeç, banues në Prrenjas, pasi në fshatin Mengël, gjatë kontrollit në automjetin e tij, u gjetën dhe sekuestruan rreth 130 litra naftë, pa dokumentacionin përkatës.
Komisariati i Policisë Librazhd referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. J., 59 vjeç, pasi për motive pronësie, me vetëgjyqësi, ka dëmtuar rrethimin e një pjese toke në pronësi të vëllait të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.