Të shtëna pranë një shkolle në Turqi, plagosen 11 nxënës, arrestohet autori i dyshuar

TURQI- Të paktën 11 nxënës u plagosën pasi u qëllua me armë pranë një shkolle të mesme në qytetin Turgutlu, në provincën Manisa të Turqisë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës, rreth orës 08:00, pranë shkollës së mesme profesionale dhe teknike Inci Uzmez.

Mediat e huaja bëjnë me dije se, Ministri turk i Drejtësisë, Akın Gurlek, konfirmoi se i dyshuari u kap dhe u ndalua nga policia pak pas ngjarjes. Dy prej nxënësve të plagosur ndodhen në gjendje të rëndë. Mësohet se, i dyshuari është nxënës i klasës së nëntë dhe 15 vjeç, megjithëse mosha e tij është raportuar nga mediat dhe jo konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet. Prindërit e tij dhe gjyshi janë marrë gjithashtu në pyetje në kuadër të hetimit.

Prokuroria ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe pretendimet se i riu mund të ketë qenë viktimë e bullizmit në shkollë. Shkaku i sulmit ende nuk është bërë i ditur. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria në shkollat turke, pas dy sulmeve të tjera të rënda të regjistruara në vend gjatë muajit prill.