Taulant Monçi kontriboi 48 vite në arsim, por nuk u vlerësua kurrë qoftë edhe me një certefikatë mirënjohjeje.
Ai është i njohur për të gjithë qytetarët e Elbasanit, jo vetëm për veshjet tipike që e bëjnë një personazh shumë të veçantë, por edhe për muzikën të cilës i dedikoi gjithë jetën.
Taulanti ka dhënë mësim për 48 vjet dhe dashuria e tij për lëndën e muzikës i kalon përmasat e një mësuesi të përkushtuar.

Ai kontribuoi për shumë kohë në arsim dhe punoi me vite në Belsh, Cerrik si dhe në shkollën Pedakogjike ku edhe mbylli karrierën e tij si mësues. Në Cerrik ai njihej për laboratorin e tij të muzikës, më të famshmin në atë kohë, laborator që pas daljes në pension e transferoi në shtëpi.

“Kur shoh ish kolegët e mi më kujtohet koha kur punoja. Unë kam punuar gjithnjë më pasion dhe ajo që më mbante të lidhur me arsimin ishte dashuria për punën”- tregon me nostalgji Taulanti.
Ajo që duket se është një “peng” i këtij ish mësuesi të përkushtuar është mungesa e vlerësimit për kontributin që dha. “Si nuk më dhanë një copë letër për falenderim, një certefikatë mirënjohjeje për kohën që punova”- shprehet ai.
Taulanti thotë se ruan ende lidhje shumë të ngushta me muzikën edhe pas kaq shumë vitesh.
“Muzika për mua do të vazhdojë derisa të vdes”- shprehet ai.

Ai ka shumë dashuri për jetën, për ngjyrat, për muzikën dhe mundohet ta transmetojë çdo ditë, pasione të cilat e mbajnë të ri dhe me shumë energji aq sa mosha për të është thjesht çështje numrash.
