Ditët kur euro këmbehej me 116 lekë, 120 lekë, 122 apo deri në kohët e arta kur ishte 140 lekë, duken të largëta, e ndoshta nuk do të përsëriten më në tregun valutor. Kjo e hënë e gjen euron më të dobët se kurrë përballë lekut. Referuar kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro këtë të hënë është këmbyer në treg mesatarisht 99 lekë, duke humbur 0.13 pikë krahasuar me të premten. Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar euro është zhvlerësuar me 4%, ndërsa brenda dy vitesh monedha evropiane është afro 16% më e lirë përpara lekut.
Institucionet thonë se shkak për këtë zhvlerësim të euros është sasia e lartë e valutës në treg ndikuar kryesisht prej turizmit e investimeve të huaja, por edhe paraja që vjen nga burimet informale. Zhvlerësimi i euros ka ndikim negativ tek eksportuesit që kostot i kanë në lekë dhe fitimet në euro. Po ashtu dëmton edhe qytetarët që i kanë kursimet në euro, pasi zhvlerësohen kundrejt lekut. Të dëmtuar janë edhe ata qytetar që i kanë të ardhurat në euro, por edhe vetë buxheti i shtetit humb nga ky zhvlerësim sepse gjeneron më pak të ardhura nga doganat.
Ndërsa fitues janë ata që kanë kredi për të shlyer në euro, pasi këstet e tyre bëhen më të lira, fitojnë importuesit pasi paguajnë më pak për mallrat që blejnë. Gjithashtu shteti është fitues, pasi borxhi në valutë automatikisht bëhet më i lirë. Banka e Shqipërisë u bën thirrje bizneseve të përshtaten me “normalitetin e ri”, në kursin e këmbimit dhe të marrin masa për të përballuar me tregun valutor aktual.
Në rënie këtë fillim jave janë edhe valutat e tjera, pasi dollari ka humbur po aq pikë sa edhe euro. Në raport me të premten dollari këmbehet 0.13 lekë më pak ose 91.4 lekë. Paundi britanik po këmbehet me 116.6 lekë, me rënie 0.24% nga e premtja, me 0.44 pikë ka rënë edhe franga zvicerane apo me -0.16 pikë ka rënie jeni japonez. Zhvlerësimi i valutave, e kryesisht i dollarit dhe euros sipas bankës qendrore ka dhënë ndikim pozitiv në inflacion, pasi çmimet e mallrave të importuara janë më të lira.
