LIBRAZHD – Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me reshje të dendura dhe breshër ka goditur sot pasdite fshatrat e Njësisë Administrative Polis në bashkinë e Librazhdit, duke shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e pemtarisë dhe vreshtarisë.
Breshëri i fortë, i cili zgjati rreth 30 minuta, ra në fshatin Gurëshpatë dhe rrethinat e tij, duke shkatërruar plotësisht plantacionet e pemëve frutore dhe vreshtat që ndodheshin në fazën e lulëzimit të plotë.
Ky fenomen natyror ka pasur pasoja të rënda për fermat e kësaj zone, pasi ka shkatërruar gjithë prodhimin e pritur për këtë vit. Sipas burimeve zyrtare, dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha dhe kanë prekur një pjesë të madhe të familjeve fermerë të Polisit, të cilat tashmë po përballen me humbje të mëdha financiare. Stuhia ka prekur disa qindra familje, shumë prej të cilave kishin investuar në krijimin e plantacioneve me pemë frutore dhe vreshta.
Përveç dëmeve materiale, ky fenomen ka sjellë edhe një shqetësim të madh për të ardhmen e fermerëve të prekur, të cilët shpresojnë për ndihmën e shtetit për të kompensuar humbjet e tyre.
Emergjencat civile pritet të nisin verifikimin e dëmeve këtë javë, duke shqyrtuar në terren shkallën e dëmeve që stuhia ka lënë në fshatin Gurëshpatë dhe disa lagje të tjera të fshatrave të Polisit të Librazhdit.
