Stuhia “Christine” ka goditur rëndë Portugalinë qendrore dhe veriore, duke shkaktuar të paktën pesë viktima. Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta sollën përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëme të mëdha materiale. Mbi 850 mijë persona mbetën pa energji elektrike në të gjithë vendin.
Stuhia e fuqishme “Christine” ka përfshirë Portugalinë qendrore dhe veriore, duke lënë pas viktima, shkatërrime dhe kaos në qarkullimin rrugor dhe infrastrukturë.
Sipas autoriteteve portugeze, të paktën pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e motit ekstrem, ndërsa qeveria e ka cilësuar situatën si një “ngjarje të jashtëzakonshme”.
Zonat më të goditura janë rajonet qendrore, veçanërisht Leiria, ku u shënuan të paktën tre viktima.
Shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta, me shpejtësi deri në 150 kilometra në orë, shkaktuan mbi 3 mijë incidente në të gjithë vendin. Disa persona u plagosën pasi u goditën nga pemë të rrëzuara, ndërsa dhjetëra automjete u dëmtuan.
Shumë shkolla u mbyllën dhe lëvizja u ndërpre në disa zona për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.
Erërat më të forta u regjistruan në bazën ajrore Monte Real, në Leiria, ku u matën shpejtësi deri në 178 kilometra në orë.
Më shumë se 850 mijë persona mbetën pa energji elektrike gjatë së mërkurës, ndërsa ekipet e emergjencës dhe mbrojtjes civile vazhdojnë punën për rikthimin e shërbimeve dhe vlerësimin e dëmeve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin paralajmërimet, pasi Portugalia është goditur nga disa stuhi radhazi ditët e fundit dhe rreziku mbetet ende i lartë.













