Tiranë, 11 qershor 2025 – Një ministër aktual i kabinetit qeveritar të Edi Ramës është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Lajmi konfirmohet zyrtarisht në Regjistrin e Transparencës për muajin prill, ku thuhet qartë: “një ministër është nën hetim”.
Kjo është hera e parë që SPAK bën një deklarim të tillë në këtë fazë të procedurës. Në raste të mëparshme, personat nën hetim janë paraqitur si “persona në dijeni”, pa u zbuluar statusi real në proces. Ky ndryshim sinjalizon një qasje më transparente nga organi i akuzës.
Megjithatë, SPAK nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e ministrit apo objektin konkret të hetimit. Rasti mbetet i mbuluar nga sekreti hetimor, por fakti që bëhet publik në këtë formë ka gjeneruar interes të lartë në opinionin publik dhe mediatike.
Pritet me interes nëse procedimi do të avancojë drejt masave më të forta si thirrje për dëshmi apo kërkesa për autorizime të posaçme nga Kuvendi. Një verë e nxehtë duket se ka nisur për politikën shqiptare.
