Sot provimi i fundit i Maturës Shtetërore, nxënësit testohen në Lëndën me Zgjedhje

Mbyllet sot cikli i Maturës Shtetërore.

Pas përfundimit të tre provimeve të mëparshme – në Gjuhë të Huaj, Gjuhë Shqipe dhe Matematikë – sot maturantët do të testohen mbi njohuritë e marra në një lëndë të zgjedhur, në varësi të profilit të ndjekur gjatë shkollës së mesme. Lëndët e përfshira në këtë provim janë të ndara në disa fusha: Shkencat e Natyrës (Kimi, Fizikë, Biologji), Shkencat Shoqërore (Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi, Sociologji), si dhe Ekonomia dhe Artet (Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti).

Nxënësit duhet të paraqiten në shkolla në orën 08:00, të pajisur me një dokument identifikimi (kartë ID ose pasaportë), ndërsa provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë për 2 orë e 30 minuta.

Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit, është ndaluar rreptësisht mbajtja e telefonave apo orëve inteligjente gjatë testimit. QSHA ka shpërndarë më herët teste model në të gjitha shkollat, për të ndihmuar maturantët të njihen me formatin dhe kërkesat e provimeve.

Për korrigjimin e testeve janë angazhuar mbi 640 mësues, ndërsa vetë procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit është mbikëqyrur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore. Në kuadër të përfshirjes dhe barazisë, Ministria e Arsimit ka parashikuar këtë vit edhe teste të personalizuara për nxënësit me aftësi ndryshe.

Me këtë provim përmbyllet zyrtarisht cikli i Maturës Shtetërore për vitin 2025.