Skemat piramidale online, Policia e Shtetit dhe Prokuroria finalizojnë operacionin “XUEX”. 6 të arrestuar, 2 në kërkim

Fier, 14 shtator 2025 – Policia e Shtetit dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kanë bërë publike sot rezultatet e operacionit policor të koduar “XUEX”, i cili synoi goditjen e një rrjeti të strukturuar që vepronte përmes mashtrimeve financiare online, të njohura ndryshe si skema piramidale.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Drejtoresha e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtuese e Parë Ervina Gjana, dhe Prokurorja pranë Prokurorisë së Fierit, Jonida Allushi, dhanë detaje mbi hetimin dhe finalizimin e këtij operacioni.

Hetimi u zhvillua pas një sërë kallëzimesh nga qytetarë që ishin mashtruar përmes platformave online të investimeve të rreme, ku u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt përmes investimeve në kriptomonedha si USDT dhe TRON. Në realitet, këto ishin skema mashtruese që funksiononin sipas modelit piramidal, duke përfituar financiarisht përmes rekrutimit të investitorëve të rinj.

Pas një hetimi disa mujor dhe përdorimit të metodave speciale hetimore, u bë i mundur goditja e këtij aktiviteti kriminal dhe arrestimi i 6 shtetasve:

Arbër Çela

Emanuel Taullau

Flavio Mukaj

Marius Kodra

Brunilda Todi

Brunilda Ndini

Gjithashtu, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim dhe po vijon puna për kapjen e tyre.

Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, ku u ushtruan gjithsej 83 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera. Personat e arrestuar dyshohet se ishin pjesë e niveleve të larta të zinxhirit të skemës, duke vepruar si agjentë që rekrutonin qytetarë dhe i orientonin përmes platformave të komunikimit si Telegram, mbi mënyrën e “investimit” dhe kalimit të fondeve në kriptomonedha.

Përdorimi i kriptomonedhave ishte një element kyç i skemës, për shkak të vështirësisë në gjurmimin e transaksioneve dhe perceptimit të gabuar të tyre si mjete të sigurta investimi. Në bashkëpunim me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë, Policia ka përdorur teknologji të avancuar të analizës blockchain për të identifikuar rrjedhën e fondeve dhe për të dokumentuar aktivitetin kriminal.

Strukturat hetimore theksuan se hetimet për këtë rast vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e organizatorëve të tjerë. Rasti “XUEX” shërben si një paralajmërim për qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve financiare në internet dhe të verifikojnë çdo ofertë “të sigurt” investimi përpara se të kryejnë veprime financiare.