Drejtoresha ekzekutive e JPMorgan Chase, Lorna Hajdini, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të ish-bankierit Chirayu Rana, duke i cilësuar ato si tërësisht të fabrikuara dhe shpifëse. Në një kundërpadi të depozituar në Gjykatën Supreme të Nju Jorkut, Hajdini pretendon se Rana ka shpikur historinë se ajo e kishte detyruar të bëhej “skllavi i saj seksual”, me qëllim përfitimin e miliona dollarëve dhe dëmtimin e reputacionit të saj profesional. Sipas dokumenteve gjyqësore, skandali ka sjellë pasoja të rënda personale për drejtuesen shqiptare, e cila thotë se është bërë objekt sulmesh, talljesh dhe kërcënimesh online pas publikimit të akuzave.
Në dosjen gjyqësore janë zbuluar edhe mesazhe tronditëse që Hajdini ka marrë përmes emailit nga persona anonimë. Një prej tyre përmbante kërcënime ekstreme dhe urrejtje, ndërsa të tjerë përfshinin komente seksuale degraduese dhe oferta të turpshme.
Avokatët e saj deklarojnë se ajo dhe familja e saj janë përballur me ngacmime të vazhdueshme, meme dhe video të krijuara me inteligjencë artificiale me përmbajtje fyese. Ata akuzojnë Ranën se ka nxitur këtë valë sulmesh duke përhapur “gënjeshtra” për ta paraqitur Hajdinin si një “grabitqare raciste dhe seksuale”.
Nga ana tjetër, Rana ka mbrojtur publikisht padinë e tij, duke argumentuar se reagimi ndaj çështjes është ndikuar nga “pabarazia gjinore”. Ai pretendon se po të ishin të përmbysura rolet gjinore, opinioni publik do të kishte reaguar ndryshe. Megjithatë, JPMorgan Chase ka mohuar kategorikisht akuzat e tij dhe ka deklaruar se një hetim i brendshëm nuk gjeti asnjë provë që mbështeste pretendimet e bankierit nepalezo-amerikan. Sipas dokumenteve të brendshme të burimeve njerëzore, Hajdini nuk kishte ndikim mbi bonuset apo ngritjen në detyrë të Ranës, duke dobësuar më tej pretendimet e tij për shantazh dhe abuzim.













