Skandali i pagave/Gruaja pranoi se ia dha databazën kolegut me justifikimin e një pune diplome, drejt lirimit te arrestuarit

Bashkëpunimi me prokurorinë duket se i ka dhënë dritë jeshile lirimit nga qelitë e paraburgimit 31- vjeçares Eni Qirjako, specialistes së IT-së së Tatimeve, të arrestuar pas skandalit të publikimit të pagave të mëse 630 mijë shqiptarëve. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi ndaj saj masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë, Andi Agarani, Klodian Sota e Endri Ikonomi, ndryshe nga kërkesa e prokurorisë për “arrest në burg”, u caktua masa e “arrestit në shtëpi”.

Ndihmë për hetimin ka dhënë edhe specialisti i IT-së, Agarai, i cili ka rrëfyer se ku i kishte shitur të dhënat për shuma nga 20-30 mijë lekë.

Njëkohësisht të arrestuarit kanë kërkuar deklarimin e paligjshëm të arrestimit të tyre, me pretendimin se kanë qenë në dispozicion të hetimit.