Skandali i ndotjes në Vjosë, nën hetim përgjegjësi i sektorit të dekantimit të naftës të Albpetrol

VLORA- Një grup ambientalistësh ndërkombëtarë kanë denoncuar me anë të pamjeve nga vendi i ngjarjes katastrofën natyrore që po ndodh në lumin Vjosë ku janë derdhur mbetje të naftës, uji është ndotur dhe kafshët e egra të zonës ndodhen në rrezik ekzistencial.

Konkretisht ambientalistët kanë publikuar pamje ku shihet gjendja alarmante me hidrokarburet e derdhura në lumë. Ata shprehen se nuk ka më ujë, është vetëm karburant dhe ka kafshë të ngordhura duke u përpjekur të notojnë. Gjithashtu ata ka ngritur shqetësimin edhe për mos reagimin nga ana e pushtetit për rastin alarmant.

“Nuk ka më ujë, është vetëm karburant. Ka kafshë të ngordhura duke u përpjekur të notojnë. Është shumë ngjitëse dhe e nxehtë”, thotë një ambientalist.

Pas skandalit me ndotjen në Lumin e Vjosës, të denoncuar nga emisioni “Inside Story”, Policia e Vlorës ka vënë në hetim Përparim Memaj, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, kompani që administrohet nga Albpetrol.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. M., 59 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, Selenicë, pasi dyshohet se nga ky sektor janë derdhur mbetje nafte në vendin e quajtur “Përroi i Madh” të Gorishtit, duke shkaktuar ndotje”, njoftoi Policia e Vlorës.