Skandali/ 10 tonë mandarina të kontaminuara me pesticide që u kthyen nga Kroacia, u shitën në tregun shqiptar. Prokuroria nis hetimet

10 ton mandarina të kontaminuara me pesticide të dëmshme janë hedhur në tregun shqiptar, pas një operacioni hetimor të nisur nga Prokuroria e Rrethit të Beratit.

Konfirmimi ka ardhur nga autoritetet, të cilat kanë ndaluar tre persona, të cilët akuzohen për shkelje të rregullave të përdorimit të lëndëve helmuese, prodhimin dhe shitjen e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin e njeriut, mashtrimin me produkte ushqimore dhe shpërdorimin e detyrës.

Sipas informacionit nga Prokuroria, Elton Tafa, një fermer, ka shitur rreth 10 tonë mandarina, të cilat janë eksportuar në Kroaci nga Arben Dyli, administrator i një pike grumbullimi. Pas analizave të kryera nga autoritetet kroate, është zbuluar se mandarinat kishin nivele të larta të pesticidit “Fosmet”, i cili është i ndaluar për përdorim dhe është tejet i dëmshëm për shëndetin. Për shkak të këtyre rezultateve, ngarkesa është kthyer nga Kroacia në Shqipëri. Dyshohet se Arben Dyli e ka tërhequr ngarkesën dhe, në vend që ta asgjësonte, ka vendosur ta hedhë përsëri në tregun shqiptar.

Po ashtu, hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime se Elson Tahiraj, inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimeve, ka shpërdoruar detyrën e tij duke lëshuar certifikata fitosanitare të falsifikuara për disa subjekte, përfshirë edhe për Arben Dylin.

Prokuroria e Beratit ka regjistruar procedimin penal për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, dhe ka ndaluar shtetasit: Arben Aqif Dyli, Elton Hekuran Tafa dhe Elson Petrit Tahiraj.

Materialet hetimore janë kaluar për veprime të mëtejshme në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat.