Situata nga moti i keq/ Ministria e Mbrojtjes: Janë evakuuar disa familje në Vlorë, Lezhë dhe Fier! Ja si paraqitet situata në qarqet e vendit

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, të gjitha strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë monitoruar pa ndërprerje situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të ditëve në fundit, në disa qarqe të vendit. Në një pjesë të zonave situata është e stabilizuar, ndërsa në Vlorë, Lezhë, Fier, etj. është bërë evakuimi i disa familjeve.

NJOFTIM MBI SITUATËN E MOTIT NË VEND

Gjatë 24 orëve të fundit, të gjitha strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë monitoruar pa ndërprerje situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të ditëve në fundit, në disa qarqe të vendit. Në një pjesë të zonave situata është e stabilizuar, ndërsa në Vlorë, Lezhë, Fier, etj. është bërë evakuimi i disa familjeve.

Më poshtë situata e detajuar sipas qarqeve dhe bashkive:

QARKU VLORË

Sot ka nisur tërheqja e ujërave të Vjosës. Për shkak të prurjeve të larta të lumit Vjosa, në njësinë administrative Novoselë janë evakuuar dje 7 familje, të cilat u sistemuan pranë të afërmve. Gjithashtu, 3 familje pranë urës së Mifolit u evakuuan për arsye sigurie. Në total deri mbrëmjen e djeshme ishin 10 familje të evakuuara.

Bashkia Himarë

Pas ndërhyrjes së kontraktorit është hapur rruga, e cila u bllokua në segmentin midis fshatrave Shën Vasil–Nivicë, ndërsa vijon puna për pastrimin e segmentit Selenicë–Rromës.

Bashkia Sarandë

Në monitorim është aksi Sarandë–Delvinë në vendin e quajtur Shelegar, ku ka prani uji për shkak të daljes së lumit të Kalasës nga shtrati. Me prioritet po vijon puna për të shmangur rrezikun për banesat në fshatin Çukë, ku është dëmtuar argjinatura e lumit Bistricë. Ekipet e OSHEE po punojnë për rilidhjen e energjisë në tunelin e Llogarasë.

Gjithashtu po punohet për pastrimin e rrugës në Shkallë Qafë Botë dhe në segmentin nga karburanti drejt qendrës së Konispolit. Forcat në terren kanë bërë të mundur pastrimin e ujit në një banesë në Ksamil dhe në Metoq, ndërsa puna vijon në një banesë në fshatin Vrion ku ka prani të uji në një banesë. Rrugët hyrëse në bashkinë e Delvinës janë të gjitha të kalueshme. Në mbështetje janë 30 efektivë dhe 3 mjete të DRGj Gjirokastër. Hidrovorët e bashkisë Vlorë po punojnë me kapacitet të plotë.

QARKU FIER

Po monitorohet me vëmendje maksimale situate e krijuar si pasojë e prurjeve të Vjosës. Lumi në Kashisht–Çervën–Ferras, ka dalë nga shtrati por është brenda argjinaturës, ndërsa 50–60 ha tokë bujqësore janë nën ujë. 1 familje me 2 anëtarë është evakuuar në Çerven. Ka prezencë uji, në oborret e 30 ndërtesave në fshatrat Kashisht, Cerven, Ferras. Si masë paraprake, janë stakuar pompat në stacionin e ujësjellësit në Kafaraj. Po ashtu ka rritje prurjesh edhe në lumin Seman, por pa rrezik për banesa.

QARKU KORÇË

Po mbahet nën monitorim situate si pasojë e fryrjes së lumenjve Devoll dhe Dunavec. Në disa zona si në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjen nr. 6, po bëhet devijimi provizor i ujërave. Po ndërhyhet në Sheqeras në një banesë. Po punohet nga kontraktori për pastrimin nga gurët e rënë në aksin Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.

QARKU LEZHË

Në njësitë Shënkoll dhe Zejmen, niveli i ujit nga çarja e argjinaturës së lagunës së Vainit vijon të rritet, por ekipet e emergjencave po punojnë për të shmangur rrezikun për banesat e bizneset. Në rastet kur është e nevojshme është kryer edhe evakuim me varka, ndërsa punimet për riparimin e argjinaturës do të vijojnë edhe sot. Vijojnë ndërhyrjet në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, në bashkinë Kurbin. Në bashkinë e Mirditës situate është e stabilizuar; po vazhdon rehabilitimi i rrugëve. Lumi Drin ka rënie niveli, ndërsa hidrovorët funksionojnë, përjashtuar Talen.

QARKU DURRËS

Në lumenjtë Erzen, Ishëm, Zezë nuk ka rritje niveli. Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj po punojnë normalisht. Vijon pastrimi i kanaleve të Tonës dhe Tarinit. Lumi Erzen ka nisur të tërhiqet. Situatë e qetë është në bashkinë e Krujës, ku ka përfunduar forcimi i argjinaturës në lumin e Drojes. Po pastrohen kanalet në Borzanë dhe po punohet në njësinë Cudhi. Në tokat bujqësore ka tyërheqje të ujërave.

QARKU DIBËR

Në bashkinë e Bulqizës situiata është e stabilizuar, por po punohet në aksin e qytetit të vjetër. Në bashkinë e Dibrës po punohet në Luzni, Zall Dardhë, Muhur për hapjen e përrenjve. Furnizimi me energji normal, përveç fshatit Vakuf. Rrugët e fshatrave Vinjoll, Stojan, Derjan, Urxall në bashkinë Mat janë hapur. Me mbështetjen e FA është normalizuar situata në Bruç. Po punohet për pastrimin nga rrëshqitjet e dheut, në lagjen Mali-Lezajtë në bashkinë e Klosit.

QARKU SHKODËR

Në qarkun e Shkodrës reshjet kanë vijuar me intensitet mesatar deri të lartë. Në Bashkinë e Fushë-Arrëzit po punohet për pastrimin e rrugëve, ndërsa në Malësinë e Madhe ka rritje të prurjeve në përroin e Thatë.

QARKU BERAT

Po monitorohet më vëmendje situate si pasojë e prurjeve të larta të lumit Osum, ka rrezik daljeje nga shtrati në lagjen Goricë. Po ndërhyhet nga UKT Në lagjen 28 Nëntori. Në Bashkinë e Poliçanit, ujërat në tokat bujqësore janë tërhequr. Ndërsa në Dimal, ka prani uji në tokat bujqësore të Çiflig dhe Arrëz.

QARKU GJIROKASTËR

Janë pastruar nga inertet e rëna gjatë natës në akset Kardhiq–Delvinë, Tepelenë–Gjirokastër, Gjirokastër–Kakavijë dhe tashmë janë të qarkullueshme. Në qarqet e Kukësit, Tiranës, dhe Elbasanit, situate paraqitet e stabilizuar, ndërsa në disa fshatra po punohet për rikthimin e energjisë elektrike.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura si dhe të gjitha strukturat në varësi të tyre mbeten në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat vendore dhe qendrore për menaxhimin e çdo situate dhe marrjen e masave të nevojshme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike